“Të na drejtojë ajo, jo Macron”/ Europianët duan të gjithë Merkel-in

17/09/2021 18:02

Mijëra qytetarë të BE e vlerësojnë Gjermaninë si përfaqësuese të besueshme të interesave të tyre.

Europianët, madje edhe francezët do ta preferonin Merkelin si lidere përpara presidentit Macron, thotë DW. Në 12 shtete të BE kancelarja gjermane vlerësohet si personalitet drejtues, që ruajti unitetin e bllokut dhe përballoi me sukses kriza të ndryshme.

Ky ishte përfundimi i një studimi të gjerë, të bazuar në sondazhe, të Këshillit Europian për Marrëdhënie të Jashtme, qendër kërkimore e Brukselit. Në të konstatohet se “Angela Merkeli mishëron një Gjermani të fortë dhe stabile, dhe është pozicionuar si spirancë e Evropës, në më shumë se një dekadë krizash“.

Në katër mandatet e Merkelit si kancelare ka pasur disa kriza të mëdha si ajo e eurozonës në 2008/2009; kriza e refugjatëve në 2015-ën; referendumi i Brexitit në 2016 dhe pandemia e Covid-it, dy vitet e fundit. Merkeli çmohet veçanërisht për aftësinë e saj për kompromis dhe për të krijuar konsensus.

Pa Merkelin, në botë do të kishte pasur më shumë konflikt, konkludojnë 33 përqind e spanjollëve, 30% e holandezëve dhe 28% e portugezëve. Midis Merkelit dhe Macronit, qytetarët europianë preferojnë qartë Merkelin. Ata e përfytyrojnë kancelarin për postin hipotetik të një presidenteje të Europës; 41% e të anketuarve ishin qartazi pro-Merkelit për një post të tillë, ndërsa vetëm 14% mbështetën presidentin e Francës, e madje ajo mbizotëronte edhe preferencat e vetë francezëve.

Top Channel