Nga një 1 Tetori i këtij viti, duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet baçelor dhe master, ndërsa për studentët e doktoratës do të ketë lehtësi të veçantë.

Në konferencën për media, të mbajtur bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryeministri Kurti rikujtoi një paragraf të Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Të vitit 2013 nga kur edhe daton synimi dhe zotimi për arsim publik falas.

“E drejta për arsim është e drejtë universale dhe e patjetërsueshme njerëzore dhe shteti ka për obligim t’ua sigurojë të gjithë qytetarëve mundësinë për t’u arsimuar dhe shkollim cilësor. Arsimi publik në të gjitha nivelet duhet të jetë falas dhe të plotësojë nevojat e nxënësve dhe studentëve. Sistemi arsimor publik duhet të mbështetet në parimin e solidaritetit shoqëror. Të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim gjinie, etnie, religjioni apo gjendje sociale duhet të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor, në mënyrë që të arrihet potenciali i plotë shoqëror”, citoi paragrafin kryeministri.

Më tej, ai tha se ne besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e për progres shoqëror.

Ndërsa, ministrja Nagavci thekoi se me këtë Udhëzim, studentët e nivelit baçelor dhe master do të lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë, përfshirë këtu edhe pagesat për provimin pranues dhe provimet diferenciale. Ajo tha se në këtë mënyrë, po shmangim diskriminimin për shkak të pabarazisë sociale, por edhe po sigurohemi për ruajtjen e cilësisë në arsimin e lartë.

Sa i përket studimeve të doktoratës, ministrja Nagavci tha se janë paraparë disa lehtësi dhe lirimi nga pagesa e semestrit do të bëhet për më së shumti dy semestra gjatë periudhës së studimeve, me vendim të organit kompetent të institucionit.

Nga ky udhëzim administrativ do të përfitojnë edhe studentët që vinë nga vendet tjera, në veçanti ato të Rajonit, të cilët trajtohen në mënyrë të barabartë si studentët të Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuara medie,

Javën tjetër bëhen gjashtë muaj të qeverisjes tonë, pra prej se jemi në detyrë, e vetëm në javën e fundit ne po realizojmë dy prej zotimeve tona kryesore programore. Sot një javë filluam me zbatimin e Masës 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike për mbështetje për lehonat dhe shtesat për fëmijë. Brenda vetëm një javë janë regjistruar në total 13 mijë e 180 aplikime, 1501 për mbështetje për lehona, e 11 mijë e 679 për shtesa për fëmijë.

Sot fiks një javë pas, po marrim një vendim tjetër me rëndësi për të jetësuar një zotim tonin që daton që nga viti 2010 e nga alternativat qeverisëse e vitit 2013, andaj më lejoni që ta ndaj këtë paragraf me juve, pra Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje e vitit 2013.

“E drejta për Arsim është e drejtë universale dhe e patjetërsueshme njerëzore dhe shteti ka për obligim t’ua sigurojë të gjithë qytetarëve mundësinë për t’u arsimuar dhe shkollim cilësor. Arsimi Publik në të gjitha nivelet duhet të jetë falas dhe të plotësojë nevojat e nxënësve dhe studentëve. Sistemi arsimor publik duhet të mbështetet në parimin e solidaritetit shoqëror. Të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim gjinie, etnie, religjioni apo gjendje sociale duhet të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor në mënyrë që ta arrihet potenciali i plotë shoqëror”.

Andaj, nga një 1 Tetori i këtij viti, duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet baçelor dhe master, ndërsa për studentët e doktoratës do të ketë lehtësi të veçantë.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, ka nënshkruar sot Udhëzimin Administrativ, me të cilin arsimi i lartë do të bëhet njësoj i qasshëm për të gjithë. Kjo padyshim se kontribuon në barazinë sociale në vend. Ne besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta, duke përmirësuar kësisoj nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e për progres shoqëror. Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë, duke filluar prej të rinjve e të rejave, studimet e të cilëve financohen nga familjet, e deri te bashkëqytetarët tanë të cilët vendosin që në moshë të pjekur t’i vijojnë studimet universitare. Do të përfitojnë edhe studentët që vijnë nga vendet tjera, në veçanti ato të rajonit të cilët trajtohen në mënyrë të barabartë si studentët tanë. Për ta më herët, me vendim të ministritë tonë të Brendshëm z. Xhelal Sveçla, detyrimi për të dëshmuar qarkullim financiar ishte ulur në 500 euro nga 2500 euro sa ishte paraprakisht, me qëllimi lehtësimin e jetës studentore.

Krahas heqjes së tarifave ne do të vazhdojmë t’i mbështesim studentët edhe në forma të tjera përmes bursave, ofrimit të akomodimit dhe ushqimit me kosto të përballueshme në konvikte e të tjera. Tash për detaje të mëtutjeshme të këtij Udhëzimi Administrativ tejet të rëndësishëm që po shënon një kapërcim të jashtëzakonshëm për vendin dhe shoqërinë tonë, po ia kaloj fjalën ministres tonë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA