Debat për programin e qeverisë/ Rama dhe Basha përballen në sallën e Kuvendit

17/09/2021 01:59

Kuvendit të Shqipërisë, iu rikthyen debatet mes opozitës dhe shumicës madje edhe bllokimi foltores të parlamentit përpara përballjes së munguar dy vjeçare mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kreu grupit parlamentar demokrat Alfred Rrushaj tha se zoti Basha nuk mund ta merrte fjalën pa prezencën e Ramës në sallë.

Megjithëse kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla dhe kreu grupit parlamentar socialist Taulant Balla shpjeguan se në rregulloren e kuvendit për këtë seancë specifike, nuk kërkohet prezenca kryeministrit të dekretuar, kjo nuk i bindi demokratët që kërkuan mbledhje grupi e më pas i vijuan debatet po për të njëjtën çështje. Edi Rama kur mbërriti i tha opozitës se nuk do mund të arrijnë asgjë përmes forcës.

Lulzim Basha zgjodhi ti bëjë oponencë më së shumti zhvillimeve të shkuara se sa programit qeverisës prezantuar nga Edi Rama.

“Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira. Nuk vdiq për shkaqe natyrore, paçka se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë. Demokracia është vrarë. Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje”- tha Basha.

Zoti Basha shprehu kritika të forta për reformën territoriale dhe atë në drejtësi.

“Reforma e falimentuar territoriale, që u qëndis si një këmishë force për t’u shërbyer interesave tuaja politike, por jo qytetarëve, tek e sëmura e madhe, që është reforma në drejtësi. Një e sëmurë që mbahet e intubuar nga partnerët, por e goditur dhe e rrezikuar nga virusi i korrupsionit i kësaj pakice që e ka kapur për të penguar ndëshkimin e merituar të eksponentëve të saj të korruptuar e të lidhur me krimin!”- vijoi Basha. 

Kreu PD bëri këtë koment për Ballkanin e Hapur.

“Çfarë e motivon përbuzjen e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania dhe që ka mbështetjen politike e financiare të BE-së, vendeve kryesore anëtare të Unionit e që mbledh së bashku të gjitha vendet e Ballkanit, dhe çfarë të detyron të investohesh kaq fort në një iniciative paralele të krijuar në Novisad e si autoritetin më të lartë ka Vucic. Përgjigjja është e thjeshtë. Juve nuk ju intereson aspak procesi dhe rezultati i bashkëpunimit rajonal por vetëm kapardisja si udhëheqës rajonalë para popujve që i keni lënë në baltë”- shtoi Basha.

Për gjithçka çfarë tha Lulzim Basha, Edi Rama zgjodhi një përgjigje shumë të shkurtër.

“Fjalimi vetëm përsëritje që mund të jetë shkak i stresit. Nuk është koha të përgjigjem më shumë, sepse ke boll kumurie, kështu që nuk po e vazhdoj me shumë”- iu përgjigj Rama.

Top Channel