Tmerrohen banorët në Letoni, ushtarët luftojnë me plumba manovre në rrugët e kryeqytetit (foto-video)

16/09/2021 15:17

Një stërvitje urbane surprizë ka tmerruar sot banorët në Riga ku ushtarët qëllonin me automatikë me gëzhoja manovre në rrugët e kryeqytetit letonez.

Pa asnjë paralajmërim qyteti u kthye në një zonë lufte të simuluar, ku ushtarët e armatosur rëndë zbraznin armët e tyre pa asnjë sinjalistikë ndaj këmbësorëve e kalimtarëve.

Kalimtarë, gra e fëmijë shiheshin që ecnin e më pas tmerroheshin nga ushtarët që dilnin nga pozicione të improvizuara duke qëlluar me armë.

Stërvitja surprizë po kryhet në kuadër të manovrave të vendeve të NATO-s kundër asaj që quajnë “kërcënimi rus”.

Disa civilë dukej që zbaviteshin nga lojrat ushtarake por qeveria u përball me kritika të gjera pasi banorët thonin se fëmijët e tyre u tmerruan.

Zhvillimi vjen teksa Rusia po kryen një fushatë masive stërvitore me Bjellorusinë, gjithashtu me pjesëmarrje të Armenisë, Indisë, Kazakistaitn, Kyrgizstanit e Mongolisë në dhjetë vendndodhje të ndryshme në Rusi e Bjellorusi.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale letoneze shihej një ushtar që qëllonte me armën e tij teksa një grua me fëmijë të vogël kalonte në trotuar. Ky i fundit nisi të qajë nga tmerri.

Në të tjera skena shiheshin ushtarë që simulonin luftë në mes të rrugës, duke u mbrojtur pas makinave e duke qëlluar ndaj ndërtesave.


Pas zemëratë së shprehur ushtria publikoi një kërkesë “të shpëlarë” ndjese  duke insistuar se u morën masa që askush të mos lëndohej.

“Gjatë manovrave u përdorën vetëm gëzhoja boshe, të cilët bëjnë zhurmë por nuk rrezikojnë jetën e të tjerëve. Kishte një keqkuptim për organizimin për të cilin kërkojmë ndjesë”, thuhej në deklaratë.

Stërvitja urbane në Letoni vjen një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin mbikqyri manovrat e gjera në Kaliningrad, ku u simuluan pushtime në plazh me mjete gjigante amfibe.

FOTO GALERI
1/11
Banoret e Rigas u zgjuan mes skenave sureale ne kryeqytet

Top Channel