PD: Arsimi në gjendje të mjerë/ “Zgjidhja, shkollim falas për fëmijët e familjeve në nevojë”

16/09/2021 15:29

Një ditë pasi në regjistrat e Ministrisë së Arsimit rezultuan 10 mijë fëmijë më pak të regjistruar në klasë të parë, deputetja e PD, Oriola Pampuri e lidh shifrën e paprecedentë me dy fenomene që sipas saj kanë ndodhur përgjatë 8 viteve të qeverisjes së socialistëve: Emigrimi dhe kriza ekonomike.

Oriola Pampuri: Është vërtet alarmante dhe kjo shifër lidhet me familjet që largohen dhe nivelin shumë të ulët ekonomik të familjeve. Shumë familje shqiptare jetojnë nën minimumin jetik që e kanë të pamundur të shkollojnë fëmijët.

Mungesa e fëmijëve në bankat e shkollës sjell si pasojë nxjerrjen në rrugë të mijëra arsimtarëve.

Oriola Pampuri: Do kemi një shifër të lartë mësuesish që do dalin të papunë. Dhe si rrjedhojë do kemi një nivel më të lartë të papunësisë dhe rritje të dëshirës për tu larguar nga vendi. Përgjegjësia bie mbi qeverinë që nuk merr masa për të siguruar shkollimin dhe familjet të kenë mundësinë të përballojnë jetesën me këto shifra.

Zgjidhja sipas demokratëve  është  shkollimi falas për fëmijët e familjeve në nevojë, si dhe politika sociale mbështetëse që nxisin punësimin e shqiptarëve  dhe jo largimin e tyre.

Top Channel