“Ne vdiqëm bashkë me të”, nëna e 27 vjeçarit të vrarë tregon traumën në familje 

16/09/2021 12:23

Një vit nga ekzekutimi me varje i mundësit Iranian Navid Afkari nga qeveria për shkak të pjesëmarrjes në një protestë, familja e tij është e shkatërruar.

Nëna e 27 vjeçarit i tha CNN se “ata nuk gjejnë dot paqe”. Në intervistën e rrallë për gjigantin mediatik amerikan, Bahieh Namjoo u shpreh se është e ndërgjegjshme për rreziqet që i kanosen pasi vendosi të flasë hapur kundër ekzekutivit Iranian, por këmbëngul se do të luftojë që të mbajë gjallë trashëgiminë e Navidit e të ndihmojë dy djemtë e tjerë të saj të dalin nga burgu.

“Ai që më shtyu të flas është fakti që dy djemtë e mi të tjerë kanë një vit në burgun e Adel Abadit. Ata kanë marrë nën kontroll jetët tona. Jemi emocionalisht e mendërisht të shteruar. Nuk ka paqe për asgjë nga ne. Vajza ime, unë, fëmijët e tjerë. Nuk ka më ditë dhe natë për ne, ka vetëm terr pafund. E kuptoni këtë? Ne nuk jetojmë më”, u shpreh ajo.

12 shtatorin e vitit 2020, Navid Afkari u var për një krim të cilin familja e tij, miqtë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se i riu, nuk e kishte kryer. Sipas variantit zyrtar të ngjarjeve, 27 vjeçari vrau Hassan Torkman, punonjës i një kompanie uji gjatë një proteste ne Shiraz 2 gushtin e vitit 2018. Ata që e njohin thonë se Navid ishte në proteste, sepse nuk duronte dot diskriminimin ndaj grave e të varfërve, por nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen, por i gjithë gjyqi ndaj tij u montua, e më pas i arrestuan dhe dy vëllezërit.

Top Channel