‘Jo kështu mes aleatëve’/ Franca thotë se SHBA e Britania i prishën marrëveshjen e nëndetëseve me Australinë (fotot)

16/09/2021 18:09

Ministri i jashtëm i Francës foli sot për “zemërim” e “hidhërim” duke kritikuar Britaninë e Shtetet e Bashkuara, të cilat njoftuan akordin e ndërtimit të nëndetëseve bërthamore për Australinë, duke zhbërë një marrëveshje 40 miliardë dollarë të nenshkruar me Parisin.

“Jam i zemëruar dhe i hidhëruar. Këto gjëra nuk bëhen mes aleatëve,” tha sot ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Drian për radion ‘franceinfo’, pasi liderët e Australisë, Britanisë e SHBA njoftuan paktin ‘AUKUS’ për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore e armatime konvencionale, për Canberra-n.

Kjo marrëveshje do të thotë se Canberra duhet të heqë dorë nga akordi i vitit 2016 me grupin shtetëror francez Naval Group për rinovimin e nëndetëseve australiane me karburant duke i kthyer ato ne karburant-elektrike, i cili arrinte në një vlerë prej $40 miliardë.

“Ky vendim brutal, unilateral e i paparashikueshëm më kujton shumë sjelljen e zotit Trump,” tha Le Drian, i cili dënonte gjithashtu Canberran për atë që quante “thikë pas shpine. Ne kishim krijuar një marrëveshje besimi me Australinë, një besim që tashmë është thyer”.

Vetëm dy javë më parë ministria australiane e mbrojtjes konfirmoi përkushtimin në marrëveshjen me Francën, megjithse sipas raportimeve kishte hasur në probleme.

Sot ministri britanik i mbrojtjes Ben Wallace mohonte se kishte “tradhti” nga Londra ndaj Francës, por tha se kuptonte zhgënjimin francez dhe atë të kompanisë Naval Group.

Sipas marrëveshjes së 2016 me Parisit, marina australiane do të merrte grupin e parë të 12 nëndetëseve të teknologjisë së lartë me energji naftë-elektrike, franceze.

Por Wallace tha se nëndetëset bërthamore që do të përftohen nga akordi AUKUS janë më të vështira për t’u pikasur dhe nuk kanë nevojë të dalin në sipërfaqe.

Sot ministrja e mbrojtjes Florence Parly tha se qeveria do të zbatojë të gjitha opsionet për mbrojtjen e Naval Group, duke përfshirë dhe kërkesë kompensimi nga Canberra.

FOTO GALERI
1/3
Kontrata me francezet u anulua

Top Channel