“Ishte e vështirë në ktheheshim në parlament”/ Tabaku: Sot, shqiptarët janë më të varfër se kurrë!

16/09/2021 18:50

Deputetja Jorida Tabaku e konsideron të vështirë rikthimin e Partisë Demokratike në parlament, pasi sipas saj duhet të ndajnë të njëjtën sallë me persona të inkriminuar.

Lamë një parlament me 6 persona të inkriminuar dhe sot e gjejmë me 12 të tillë, lamë një parlament me manipulime të faktuara nga përgjimet ambientale të prokurorisë së Krimeve të Renda ku dukej qartazi skema e blerjes së votave përmes grupeve kriminale në Dibër dhe Durrës, ndërkohë që sot gjejmë një parlament ku skema e blerjes së votës ushtri në çdo qelizë”.

Siç e prisja as sot nuk është se keni një program për t’ia dhënë shqiptarëve dhe madje as votuesve tuaj.
Projektin e qeverisë “Rama 3”, që u prezantua sot nga vetë kryeministri, Tabaku e cilëson si “gënjeshtra bajate”.

Shqipërinë reale shqiptarët e provuan e jetuan në lëkurë, në 8 vjet dhe veçanërisht në dy vitet e fundit ku dy fatkeqësi goditën vendin tonë për të dëshmuar fytyrën e vërtetë të qeverisë dhe natyrisht kryeministrit. Ku shqiptarët u lanë të vetëm të braktisur, u lanë në çadra në mëshirë të fatit duke pritur të vinte fushata të bëhej ndonjë tender e të merrnin ndonjë strehim sigurisht çdo gjë para kamerave televizive”, shtoi deputetja.

Sipas saj, borxhi publik ka shkuar në nivelin 100% dhe shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë.

Sot Shqipëria etiketohet si parajsa e pastrimit të parave, ku vizioni i vetëm ekonomik është ai i mbështetjes së më të fortit. Vetëm në 3 vite raportohet se janë pastruar një vlerë prej 1.6 mld euro. Shqipëria sot përshkruhet si vendi ku biznesi nuk ka asnjë shans të mbijetojë prej korrupsionit, sistemit të pandershëm fiskal, burokracia e qeverisë, ekonomia informale si dhe monopolet në treg. Shkurt dhe shqip, një sistem që më shumë i përshtatet oligarkëve që shkruajnë përjashtime taksash për veten e tyre dhe që i rëndon qytetarëve që nuk u dëgjohet as zëri dhe as mendimi”.

Dështimi më i madh i kryeministrit Rama, sipas deputetes demokrate është në procesin e integrimit europian:
Prandaj, për mua nuk përbën çudi që asnjë rresht për integrimin në BE nuk ka në këtë punim që ju e quani program. Akoma më qesharake është kur lexon se sipas programit të qeverisë dhe me gjasë sipas qeverisë, Shqipëria i paska hapur negociatat. Shqipëria prej 2013, ndodhet më larg BE se 8 vite më parë në parime, në standarte në demokraci, në liri të medies, në liri për qytetarët e saj, me një drejtësi të kompromentuar, me politikanë që sfidojnë ligjet, me krim të organizuar që menaxhon parlamentin dhe me një qeveri që ideon ligje speciale për bizneset pranë saj”, tha Tabaku.

Në fund, Tabaku u zotua se opozita do të qëndrojë përballë mazhorancës. “Askush nuk është i paprekshëm dhe i plotfuqishëm, opozitën do ta keni përballë! Me gjithë të metat e gabimet tona, ne do të na keni përballë pasi jemi forca e vetme që mund dhe do t’i kthejë shpresën shqiptarëve. Ju sot jeni të shqetësuar pasi e shihni se në këtë vend të plaçkitur ka ende shpresë”.

Top Channel