Kina nuk ishte e vetmja që u zemërua nga pakti SHBA- Britani- Australi, nga i cili kjo e fundit do të dalë me nëndetëse bërthamore dhe Londra e Washingtoni, me kontrata 65 miliardë dollarëshe.
Ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Drian tha se vend ii tij u “tradhëtua” nga kryeministri Australian Scott Morrison. Marrëveshja mes tre vendeve ka ndezur kështu komunitetin ndërkombëtar.
“Nuk i bëjnë aleatët njëri-tjetrit gjëra të tilla”, shtoi shefi i diplomacisë së Francës, e cila duket nuk ka pasur asnjë dijeni për ujdinë fitimprurëse. Sektretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace u përpoq të mbrohej duke thënë se “Canberra vetë ishte ajo që i kishte kërkuar marrëveshjen”.
Marrëveshja u trumpetua si një pakt historik sigurie për rajonin e Indo-Paqësorit dhe konsiderohet si një përpjekje për t’i bërë ballë Kinës. Në bazë të saj, Australisë do t’i lejohet që për herë të parë të ndërtojë nëndetëse me energji bërthamore, duke e përdorur teknologjinë e ofruar nga SHBA-ja.
Pakti, i njohur si AUKUS, parashikon gjithashtu bashkëpunimin në inteligjencën artificiale dhe teknologjinë kibernetike. Analistët thonë se ky është partneriteti më i madh i mbrojtjes në dekadat e fundit. Gjatë viteve të fundit, vendet perëndimore kanë shprehur në vazhdimësi shqetësime në lidhje me rritjen e pranisë ushtarake të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.
Top Channel