Nga Dom Gjergj Meta

Thuhet se pikërisht pas Pavarësisë Patër Fishta ka thënë: “Shqipninë e bamë, tash duhet me ba shqiptart”.

Pavarësia e vitit 1912, me anë të së cilës, ne si shqiptarë, u njohëm si komb më vete, nuk na dha automatikisht kombin dhe pavarësinë për të jetuar dhe për t’u ndërtuar si shoqëri shqiptare.

Unë mendoj se kombet e mëdha kanë qenë shumë bujarë e të mirë me ne, ndryshe nga sa mund të thuhet. Dhe a e dini pse?

Sepse, ne nuk dimë të bëjmë gjërat bashkë, të ulemi rreth një tryeze e të bisedojmë si vëllezër për të ardhmen tonë. Të vetmet raste që kemi qenë bashkë kanë qenë, kur na ka detyruar figura e 1-shit, o nën monarki, o nën regjim. Kjo, sepse ne nuk kemi patur kurrë një kulturë dialogu, duke qenë se e kemi ndjerë veten secili bajraktar e kështu vazhdojmë.

Ne e nisim bisedën duke thënë: “E ke gabim, ta them unë si është kjo punë” në vend që të themi: “E kuptoj atë që thua, por unë e shoh nga një këndvështrim tjetër këtë çështje”. Ne nuk merremi me idetë, por me personat. Ne të ndryshmin e shohim armik. Po, po, ne shqiptarët kështu. Pikërisht ne!

E çuditërisht kjo është aq e rrënjosur sa edhe ata që jetojnë në perëndim e janë shkolluar qysh fëmijë në shkollat perëndimore, sapo zbresin në aeroport, papritur kthehen në inatçorë, arrogantë e agresivë. Mjafton t’i shohësh në rrjete sociale, pa zbritur fare në aeroport.

As në të kaluarën nuk kemi ditur t’i zgjidhim gjërat si qytetar, por ose kemi thirrur në ndihmë të huajt ose ia kemi deleguar gjithçka 1- shit, ose jemi copëtuar me njëri-tjetrin.

Edhe në kohën kur thuhej se burrat mblidheshin e diskutonin, aspak nuk tregon një kulturë demokratike apo dialogu. Ishte thjesht për të zgjidhur problemet që lindnin nga shtyrja e një gardhi, nga lëvizja e gurit të kufirit, nga një plagosje a një vrasje, nga një vjedhje berrash, por jo për të shikuar drejt ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët.

Kjo, sepse mungon nocioni bazë i të mirës së përbashkët që para se të jetë një nocion sasior është një nocion shpirtëror.

Ja pra pse ne sot, edhe pse më të vjetër si popull, nuk jemi as Danimarka, as Suedia, as Gjermania, Franca apo as Italia. Pikërisht, sepse ne nuk dialogojmë me njëri-tjetrin dhe kemi mbetur të kultura e gardhit të shtyrë dhe e berrit të vjedhur …

Ditë të mbarë!

Top Channel