Nga vizita e fundit në Shqipëri kancelaria gjermane Anglela Merkel ishte e qartë në mesazhin e saj për të gjithë udhëheqësit e Ballkanit.

Ajo e bëri të sajën si askush tjetër duke ngritur një platformë jo vetëm dialogu por investimesh përmes Iniciativës së Berlinit nisur në vitin 2014.

Tashmë është në dorën e udhëheqësve Ballkanik ta çojnë përpara.

Pas një dreke pune me kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit, Angela Merkel dhe Edi Rama dolën një konferencë për shtyp nga ku kancelaria la të kuptohet se cilat ishin porositë e dhëna.

“Me të gjithë kryetarët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor kam patur kënaqësinë që prej idesë së vitit 2014 për inicimin e një procesi bashkëpunimi, prej tij ka rezultuar tanimë një bimë mjaft e fuqishme. Kemi folur gjithashtu dhe për projekte mjaft të rëndësishme infrastrukturore, në të cilat shikohen tanimë rezultatet e para. Kemi folur për nisjen e punimeve të Autostradës së Paqes”, tha Merkel.

“Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë, seç ishte përpara sesa Angela Merkel të niste Procesin e Berlinit. Patjetër që, pavarësisht se do të ketë vazhdimësi në politikën gjermane, cilido qoftë fituesi, Angela Merkel do t’i mungojë këtij rajoni dhe ma ha mendja që interesi i të gjithëve këtu, me të drejtë, është të dëgjojmë më shumë fjalët e saj sesa fjalët e mia”, tha Rama.

Megjithëse Angela Merkel nuk e përdori termin Ballkan i Hapur dha këtë vlerësim.

“Unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal me katër marrëveshjet, sikundër i quajmë. Jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në të njëjtin nivel në këto marrëveshje, disa janë tashmë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar për t’ju bashkuar kësaj iniciative, por sot, ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më mirë e aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha Merkel.

Të pyetur nga Top Channel se kush duhet të jetë prioritar për udhëheqësit e Ballkanit, Inciativa e Berlinit apo Open Ballkan, Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Edi Rama dhanë këto përgjigje.

“Procesi i Berlinit, nëse më lejoni të them, është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht, në këtë kontekst, Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij Procesi”, tha Merkel.

“Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë me Procesin e Berlinit, është pjellë e Procesit të Berlinit. Open Balkan është as më shumë e as më pak, por një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit, kaq. Nuk ka Open Balkan asgjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA