Hiqet licenca autobusëve të unazës, Veliaj: Abuzuan gjatë kohës së pandemisë

13/09/2021 15:14

Bashkia e Tiranës i heq licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës. Kryetari Erion Veliaj paralajmëron se edhe  linjat e tjera, po vëzhgohen me shumë imtësi

Gjatë një takimi me administratorët e shkollave, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e vitit të ri arsimor parauniversitar në kryeqytet, Veliaj shpjegoi se vendimi është marrë pas abuzimeve të shumta të denoncuara edhe nga përdoruesit e linjës.

“Kam qenë shumë i angazhuar gjatë kësaj vere për të bërë disa ndërhyrje në transportin publik. Një prej tyre ka të bëjë me linjat e funksionimit të autobusëve në Tiranë. Kam vendosur që këtë javë t’i heq licencën kompanisë që menaxhon linjën e Unazës për një sjellje absolutisht të papërgjegjshme, për abuzim gjatë gjithë kohës së Covidit me justifikimet për të kryer shërbimin. Ky është edhe një paralajmërim për linjat e tjera. Po i vëzhgojmë me shumë imtësi.”

Kreu i Bashkisë Tiranë tha se linja do të rivihet menjëherë në dispozicion të qytetarëve, por tashmë me një operator tjetër dhe normaliteti do të kthehet përpara vitit shkollor,” tha Veliaj, duke shtuar se, për të lehtësuar trafikun që rëndohet në muajin shtator me hapjen e shkollave, do të hyjë në fuqi dhe regjimi i furnizimit të pikave ushqimore dhe supermarketeve.

“Në disa prej rrugëve ne kemi filluar të eksperimentojmë ato që i quajmë “rrugë shkollore”, ku, siç ndodh në të gjithë botën, bllokohet ajo rrugicë dhe përdoret në mënyrë këmbësore vetëm nga fëmijët derisa mbaron procesi mësimor. Në disa rrugica të tjera do të bëjmë një rishikim për kangjella, për t’u siguruar që trotuari ku fëmijët hidhen menjëherë nga dera kryesore ka një lloj barriere të mbrojtur derisa shkojnë te vija e bardhë, ose tek semafori.”

Top Channel