49-vjeçari, i cili ishte shpallur më herët në kërkim, ka rënë në prangat e policisë së Sarandës për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Policia njofton se Aleksandër Rica kontraktoi 4 punonjës që u arrestuan më herët nga policia, për të ndërtuar një vilë, për të cilën nuk posedonte leje, në zonën e mbrojtur të quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë.
“Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor, Aleksandër Rica, 49 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se ka kontraktuar 4 puntorë (të vënë në pranga nga Policia më herët), për ndërtimin e një objekti (vilë), po ashtu ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompentente dhe 2 objekte të tjera, të ndërtuara po në vendin e quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë, e cila është zonë e mbrojtur”, njofton policia.
Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Ricës policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak.
Vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë përgjegjësi për mosverifikimin e ndërtimeve dhe pronave, në proçes legalizimi, të këtij shtetasi, në një zonë të mbrojtur, të qytetit të Sarandës.
Materialet shtesë në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Prodhimi dhe mbatja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar në misionin e saj me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast abuzimi apo shkelje të ligjit.
Top Channel