Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimet për veprimet e magjistratëve në Fier, të cilët kanë liruar nga burgu vrasësin e 23-vjeçares, Sabrina Bengaj.

Sipas institucionit, do të ndiqen me vëmendje të gjithë veprimet e kryera nga magjistratët në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi vendin.

“Prej momentit të parë, jam duke ndjekur me vëmendje raportimet mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes së një 23 vjeçareje nga ish bashkëshorti në Zhupan të Fierit. Ka nisur menjëherë vlerësimi i rastit dhe i të dhënave që dalin në media mbi veprimet e magjistratëve.

Duke i shprehur ngushëllimet familjarëve për këtë humbje, dua të garantoj opinionin publik, se ky është një proces pune që Inspektori i Lartë i Drejtësisë e kryen me vëmendje e ndjeshmëri të lartë dhe në zbatim të detyrimeve ligjore dhe funksionale”, shkruhet në postimin e ILD-së në Twitter.

 

Postimi i ILD në Twitter

Gjykata e rrethit gjyqësor Fier e pajisi të ndjerën me një urdhër mbrojtje që ka nisur prej datës 14.10.2020 të vitit të kaluar dhe do të përfundonte më datën 14.10.2021.

Sabrinës i përfundonte urdhri i mbrojtjes, mirëpo ndonëse e kishte një urdhër të tillë, nuk arriti që ta mbronte nga vdekja.

Vendimin për t’u pajisur me urdhrin e mbrojtjes e ka dhënë gjyqtari Alfred Konomi.

Në dokumentet e siguruar nga Top Channel mësohet se Elton Bengaj Metaj dhe Sabrina Bengaj ishin ndarë prej gati një viti.

Në janar, prokurori i çështjes, Çlirim Sina pa pasur pretendim nga familjarët apo i pandehuri dhe ka kërkuar në gjykatë që Elton Metaj të mos qëndrojë në qelinë e paraburgimit të Fierit, por të shkojë në spitalin e burgut të Zaharisë, për ata që janë me probleme të shëndetit mendor, bazuar mbi një ekspertizë nga mjekë të Institutit Ligjor.

Gjykata me një vendim të gjyqtarit Piro Sota, kishte vendosur më 1 mars 2021 caktimin si masë mjekësore ndaj Elton Metaj Bengaj, atë të ‘mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor’.

Po kështu, kishte vendosur dhe pushimin e çështjes penale të 21.09.2020 për veprat ‘Dhunë në familje’, ‘Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

Ndërsa më 26 korrik 2021, po Gjykatësi Piro Sota ka vendosur zëvendësimin e masës mjekësore ndaj Metaj, nga ‘mjekim i detyruar në një institucion mjekësor’ në masën mjekësore ‘mjekim i detyruar ambulator’ nën kujdesin e babait të tij Bashkim Meta.

Një herë në muaj, sipas vendimit, 31-vjeçari duhet të paraqitej pranë mjekut neuro-psikiatër në Poliklinikën e Specialiteteve Fier.

Po edhe këto masa dhe vendime gjykatash nuk mundën të parandalonin krimin e rëndë në Fier që i mori jetën një nëne të re, të një vajze 3-vjeçare.

Viktima Sabrina Benga

Sabrina Benga u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e prindërve të saj, nga ish-bashkëshorti, 31-vjeçari Elton Metaj.

Nënë e një vajze të mitur u përcoll sot për në banesën e fundit, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e autorit të krimit që tronditi mbarë opinionin publik, 3 orë pas krimit makabër.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar rreth orës 22:50, në fshatin Zhupan, teksa Elton Metaj kishte shkuar në banesën e prindërve të saj dhe qëlloi gjersa ajo po hante darkën.

Autori i krimit, Elton Meta njihej si një person problematik. Top Channel ka mësuar gjithashtu se më 20 shtator të vitit të kaluar, 31-vjeçari ka marrë peng familjarët e viktimës, ku është dashur ndërhyrja e bluve.

Ndërkohë po një vit më parë ai u gjykua për 3 akuza: armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe pengmarrje.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel