20 vjetori i sulmeve terroriste, Biden: Uniteti, forca më e madhe e SHBA-së!

11/09/2021 14:39

Në 20 vjetorin e sulmeve më të rënda terroriste në historinë moderne të SHBA-së, presidenti Joe Biden përpiqet të reflektojë mbi tragjedinë duke bërë nderime në tre zonat ku ndodhën sulmet, të cilat nxitën luftën më të gjatë të Amerikës.

Në një mesazh video, të regjistruar posacërisht për këtë përvjetor, shefi i Shtëpisë së bardhë kujtoi 3 mijë viktimat e 11 shtatorit 2001, si dhe punonjësit e emergjencave që iu përgjigjën sulmeve pa marrë parasysh rrezikun.

“Pavarësisht sesa kohë ka kaluar, kujtimet rikthejnë gjithçka, sikurse të kishim marrë lajmin pak sekonda më parë. Forca të errëta të natyrës njerëzore – frika dhe zemërimi, pakënaqësia dhe dhuna kundër myslimanëve amerikanë ndodhën pas sulmeve, por uniteti është forca më e madhe e SHBA-së.Kemi mësuar se uniteti është diçka që nuk duhet të thyhet kurrë”.

Përkujtimi i viktimave të 11 shtatorit me një sërë ceremonish këtë vit, vjen në një kohë të vështirë për presidentin Biden, i cili po përballet me kritika, pasi tërhoqi trupat nga Afganistani dhe i dha fund pranisë ushtarake në këtë shtet, më pak se një muaj, para se të shënoheshin dy dekada nga sulmet.

Biden kishte premtuar se SHBA-ja do të largohej nga Afganistani në 20-vjetorin e sulmeve dhe kishte thënë se ka pak gjasa që talibanët të merrnin kontrollin e shtetit, kur në fakt ndodhi krejt e kundërta, vendi Afganistani ra në duart e grupit militant brenda më pak se 10 ditëve. edhe pse e mbështesnin largimin nga ai vend, amerikanët e kanë kritikuar mënyrën sesi administrata Biden menaxhoi evakuimin e njerzve prej andej, dhe ne sondazhet e reja ka një miratim prej vetëm 43% për punën e tij, më i ulëti i presidencës së tij deri tani.

Top Channel