LIVE/ Samiti i liderëve botërorë në Kinë, shtrëngim duarsh mes tyre! Xi Jinping mirëpret Trumpin, Putin nuk kursehet: Evropa është në rënie poshtëruese
Gjykata në Athinë ka dënuar me burgim të përjetshëm një 33-vjeçare me origjinë algjeriane, e akuzuar për vrasjen e vajzës së saj 3-vjeçare, trupi i së cilës u gjet në det në plazhin Edem, në zonën e Paleó Faliro, në korrik të vitit 2025.
Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, gjykata i ka dhënë edhe tre vite burg për veprën penale të dhunës në familje. Trupi gjykues e shpalli njëzëri fajtore për vrasje me dashje në gjendje të qetë psikologjike, pa i njohur asnjë rrethanë lehtësuese.
Gjatë seancës, 33-vjeçarja mohoi akuzën e vrasjes, duke pretenduar se vajza ishte rrëzuar në banjë dhe kishte goditur kokën. Sipas versionit të saj, ajo kishte menduar se vogëlushja kishte vdekur dhe, nga frika se mos humbiste edhe fëmijët e tjerë, vendosi ta linte trupin e saj në det.
“Unë nuk jam vrasëse, nuk e vrava fëmijën tim”, deklaroi ajo në përfundim të dëshmisë, duke kërkuar që të mos humbiste edhe fëmijët e tjerë.
Në dëshminë e saj, gruaja pretendoi se vajza ishte goditur më parë nga partneri i saj dhe se ditën e ngjarjes kishte pasur të vjella dhe ishte ndier e lodhur. Ajo tregoi se gjatë larjes në dush, e mitura ishte rrëzuar dhe kishte pësuar konvulsione.
E pyetur nga kryetarja e trupit gjykues se përse nuk kishte kërkuar ndihmë mjekësore apo nuk kishte njoftuar policinë, ajo u përgjigj se ishte frikësuar dhe kishte qenë në gjendje shoku.
33-vjeçarja pretendoi gjithashtu se vendimin për ta lënë vajzën në det e kishte marrë duke u bazuar në bindjet e saj fetare, pasi mendonte se kjo do të ishte më mirë për shpirtin e fëmijës.
Megjithatë, prokurorja kërkoi dënimin e saj sipas akuzave, duke argumentuar se vogëlushja ishte ende gjallë kur ishte lënë në ujë dhe se nëna kishte pranuar vdekjen e sigurt të saj.
Gjatë fjalës së saj, prokurorja iu referua edhe dëmtimeve të konstatuara në trupin e fëmijës, përfshirë plagë dhe gërvishtje të shkaktuara para dhe pas vdekjes. Ajo përmendi gjithashtu dëshmitë e partnerit të të pandehurës, një fqinje dhe drejtueses së shkollës, të cilat, sipas saj, dëshmonin për raste të mëparshme keqtrajtimi dhe neglizhimi të fëmijës.
Prokurorja hodhi poshtë pretendimin se përgjegjës për dhunën ishte vetëm partneri i saj, duke theksuar se 33-vjeçarja nuk e kishte dërguar vajzën në spital dhe nuk kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet.
Një tjetër element i përmendur gjatë procesit ishte fakti se vetëm dy ditë pas vdekjes së vajzës, gruaja kishte kontaktuar ambasadën algjeriane në Athinë për të kërkuar mënyra për t’u kthyer në vendin e saj.
Sipas mediave greke, ajo kishte deklaruar se kishte vetëm dy fëmijë dhe jo tre, duke mos përfshirë në këtë deklarim vajzën që kishte humbur jetën. Ajo ishte arrestuar përpara se të realizonte largimin nga Greqia.
Top Channel