Talebani i drejton armën në fytyrë, gruas nuk i dridhet qerpiku: pamjet bëhen virale!

10/09/2021 16:50

Fotoja e një reporteri të Reuters e shkrepur në Kabul është bërë virale brenda pak orësh duke u përhapur më shpejtësi në mediat sociale. Ajo është realizuar gjatë protestës së fundit të grave kundër qeverisë së re talebane, të mbajtur në kryeqytetin afgan të martën.

Njërës prej protestuesve, një taleban i ka drejtuar pushkën në fytyrë, ndërsa gruaja e sheh drejt në sy sfiduese pa iu dridhur qerpiku. Simbolika e fotos është mjaft e fuqishme: talebani i armatosur nga njëra anë, dhe në anën tjetër protestuesja e guximshme, që në dorë mban vetëm një shishe ujë! Talebanët e prezantuan pak ditë më parë qeverinë e tyre të re, në të cilën nuk ka as gra e as pjesëtarë të pakicave fetare.

Sipas tyre gratë nuk duhet të jenë ministre; ato kanë një detyrë tjetër në jetë e ajo është të bëjnë fëmijë!  Edërguara e posaçme e Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, Deborah Lyons, tha se bllokimi i parave për Afganistanin, për t’i mbajtur ato larg duarve të talibanëve, kërcënon të shembë këtë vend dhe ekonominë e tij.

Grupi fundamentalist luftoi prej vitesh me forcat afgane të sigurisë dhe trupat ndërkombëtare. Donatorët e huaj garantonin më shumë se 75 për qind të buxhetit të Afganistanit, por ato pagesa janë bllokuar që kur talebanët morën kontrollin.

Top Channel