Vdekjet ditore mbërrijnë nivelet e marsit/ Merr fund vera e shpresës në SHBA

09/09/2021 13:24

Vera që supozohej të sillte pavarësinë e Amerikës nga COVID-19, po bën në fakt që Shtetet e Bashkuara të vihen fuqishëm nën tiraninë e virusit, pasi vdekjet ditore kanë arritur përsëri në caqet ku ishin në muajin mars, thotë VOA.

Varianti delta po mbush spitalet, duke prekur një numër alarmant fëmijësh dhe duke i çuar vdekjet nga koronavirusi në disa zona në nivelet më të larta gjatë gjithë pandemisë. Sistemet arsimore që rihapën ambientet shkollore po kthehen papritur në mësimin në distancë për shkak të infektimeve.

Mosmarrëveshjet ligjore, kërcënimet dhe dhuna kanë shpërthyer lidhur me kërkesat për mbajtjen e maskës dhe për të bërë vaksinat. Numri i të vdekurve në SHBA llogaritet në më shumë se 650,000 dhe një model kompjuterik parashikon se kjo shifër do të kalojë 750,000 viktima deri më 1 dhjetor.

“Dukej sikur kishim arritur një kthesë pozitive,” thotë Katie Button, shefe ekzekutive në dy restorante në Asheville të Karolinës së Veriut.

“Varianti delta e fshiu atë plotësisht”. Nuk parashikohej të ndodhte kështu. Më shumë se gjashtë muaj pas fillimit të fushatës së vaksinimit në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden mbajti një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë më 4 korrik për të festuar lirinë e vendit nga virusi dhe udhëheqës të tjerë politikë kishin shpresa të mëdha për një verë pranë normales. Por në fund të verës, situata është krejt ndryshe.

Top Channel