Strehonin klandestinë dhe…/ Goditet baza e dokumenteve të falsifikimit në Lushnjë. Detaje nga operacioni

09/09/2021 19:22
Foto ilustruese

Një bazë e falsifikimit të dokumenteve është zbuluar në Lushnjë. Policia e Lushnjës bën me dije se si rezultat i finalizimit të operacionit të koduar “Passport”, ranë në pranga dy persona, të cilët strehonin klandestinë me qëllim trafikimin për në vendet e Bashkimit Europian dhe i pajisnin me dokumente të dyshuara të falsifikuara.

“Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Fier dhe Forca e Posacme “Shqiponja” finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Passport”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. H., 53 vjeç dhe Xh. H., 24 vjeç, (babë e bir), banues në Karbunarë, Lushnjë.

Këta shtetas, në lagjen “Kongresi”, Lushnjë, kishin marrë një banesë me qera, që shërbente si bazë për të  strehuar klandestinë me qëllim trafikimin e tyre për në vendet e Bashkimit Europian duke i pajisur me pasaporta të dyshuara të falsifikuara”, njofton policia.

Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dy shtetas të huaj si edhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 5600 euro, një sasi parash që përdoren në Bangladesh, 1 laptop, 6 aparate celularë dhe 1 automjet tip “Renault”.

Ndërkohë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel