Gjykata e Apelit të Posaçëm sërish ka shtyrë vendimin për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi që ta shtyjë sërish marrjen e vendimit për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Seanca u vendos të mbahet në datën 22 shtator në orën 13:00.

Seanca e mbrojtjes së ish-kryeprokurorit u mbajt pa praninë e tij, ndërsa trupa gjykuese rrëzoi të gjitha kërkesat e avokatit.

Avokati Sokol Hazizaj ka hyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe prej orës 10.30 parashtroi kërkesat.

Ai kërkoi pafajësi për Llallën, ndërsa seanca u monitorua edhe nga ndërkombëtarë, kryesisht të Ambasadës Amerikane që kanë qenë të pranishëm në çdo seancë.

Gjykata e Posaçme e Apelit dëgjoi mbrojtjen e avokatit të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili kërkoi nga Apeli pafajësi ose rigjykim të dosjes ose shpallje moskompetence.

Nga ana tjetër, avokati tha se ish-kryeprokurori është në spital më gjendje të rëndë shëndetësore duke kërkuar që kjo të merret parasysh nga Gjykata në dhënien e vendimit.

Aktet e ekspertimit u dorëzuan nga avokati i Llallës, i cili kërkoi pafajësi, rikthim për gjykim ose në rast dënimi pezullim të dënimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të sëmundjes së parikuperueshme.

Gjatë mbrojtjes avokati Sokol Hazizaj pretendoi se procesi i hetimit dhe gjykimit ishte i paragjykuar, duke shtuar se Gjykata e Posaçme është në kushte të moskompetencës për dosjen dhe vendimi është i pavlefshëm.

Nëse Llalla shpallet fajtor me formë të prerë ai duhet të dërgohet pas hekurave, por nuk dihet ende nëse vendimi do shpallet sot, ndonëse mbrojtja e ish-prokurorit është pretendimi i fundit i palëve.

Kujtojmë se nëse shpallet fajtor ai është ish-zyrtari më i lartë i Prokurorisë i dënuar, ndërsa nuk përfiton zbritje dënimi nga gjykimi i shkurtuar.

Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka ankimuar dënimin me 2 vite burg në Shkallë të Parë për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.

Duke iu bindur hetimit të SPAK, Gjykata urdhëroi kërkesën për konfiskim të gati 22 mijë metrave katrorë truall dhe një apartamenti në Durrës dhe aprovoi si dënim shtesë edhe mohimin për të marrë funksione publike për pesë vite.

Mbrojtja e Llallës këmbënguli më herët se nuk kishte fshehur asgjë përveç shpenzimeve të Gjermanisë që ishin harruar të deklaroheshin nga gabimi njerëzor.

Mirëpo, Gjykata gjeti të provuar të kundërtën, edhe për tokat që sipas hetimit të SPAK u rivlerësuan disa fish më tepër nga vlera që ishin blerë edhe për faturën spitalore në SHBA dhe kostot për ndërtimin e një shtese.

Shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i kërkoi kreut të SPAK, Arben Kraja një ditë më parë që të mos kurset askush i korruptuar.

Top Channel