Financimi rus i PD-së/ Berisha: Basha ka pasur presione. Më erdhi dosja nga Donald Lu

09/09/2021 22:03

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori një vendim për të përjashtuar liderin historik dhe ish-kryeministrin, Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

“Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike” – u shpreh Lulzim Basha.

Në një lidhje live në emisionin “Opinion” ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar edhe njëherë faktin se Basha ka marrë kërcënime për sanksione, gjë e cila nën presion e ka detyruar të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.

Berisha u shpreh se disa prej këtyre kërcënimeve ai i kishte hasur në kohën e ambasadorit Donald Lu, i cili i kishte dërguar një dosje me lidhjet e Lulzim Bashës me rusët:

E di unë me siguri që ka pasur presione dhe ai për arsye të veta është dorëzuar. Ai duhet t’i parashikonte këto. Ju jeni të vetëdijshëm për një zinxhir qëndrimesh ndaj PD-së, duke filluar nga akuzat se ka marrë para nga rusët, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Më ka ardhur një dosje nga ish-ambasadori amerikan Donald Du dhe I kam thënë se në të nuk ka absolutisht asnjë fakt që të vërtetojë lidhjet e Lulzim Bashës me financimin rus. E kam cilësuar vetëm si një shkrim absurd pa fakte atë dosje” – u shpreh ish-kryeministri për një çështje delikate, e cila e dërgoi në Prokurori në 2018 ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, financierin Ilir Dervishi si dhe Basha, çështje e cila më pas u mbyll pa gjetur prova.

Top Channel