Të dalësh gjallë nga një aksident ajror mund të duket “fantazi”, por në fakt ekspertët thonë se 95 përqind e tyre janë të mbijetueshëm.
Mbijetesa mund të varet gjithashtu nga pasagjerët dhe veprimet e tyre, si për shembull sediljet që duhet të evitohen apo rrobat që duhen veshur.
Aksidentet ajrore u shtuan vitin e kaluar, megjithë pandeminë.
Kompania holandeze To70, tha se numri i të vrarëve në avionët e pasagjerëve në 2020 arriti në 299, nga 40 aksidente – pesë prej të cilëve ishin fatalë.
Megjithse shifrat duken shqetësuese, është vetëm një fluturim fatal në 3.7 milionë fluturime, shkruan britanikja TheSun.
Ajo që ju vishni mund të shtojë shanset e mbijetesës së një aksidenti, veçanërisht nëse ndodh në kushte apo klima të vështira.
Dave Inch, kapiteni i një Boeing 787 thotë: “Hiqni gjërat e mprehta nga xhepat tuaj, lironi rripin dhe mos mbani kravata, shalle apo këpucë me taka të larta”.
Autorja Christine Negroni, e cila ka shkruar një libër mbi misteret e linjave ajrore, tha: “Sot të gjithë mbajnë tuta në avion, por evitoni fibrat artificiale pasi kanë më shumë gjasa të digjen nëse ka zjarr në avion”.
Ajo shton se çizmet janë më të mira se shapkat, për t’ju mbrojtur nga objektet në fluturim, si dhe rekomandon veshje të ngushta që të mos ngecin diku nëse duhet të largoheni për të shpëtuar.
Upton Rehnberg, i cili i mbijetoi një aksidenti të linjave United Airlines në 1989 tha se vesh gjithmonë bluzë me kapuç pasi një inxhinier i kishte thënë se mund të mbrojë kokën gjatë një uljeje emergjence nga karburanti apo vaji i nxehtë i një aksidenti.
Megjithse shumë thonë se nuk ka asnjë sedilje më të sigurtë se te tjerat në avionin e pasagjerëve, statistikat tregojnë se ato në pjesën e prapme kanë shifrat më të ulëta të vdekshmërisë.
Në një studim të vitit 2015 për aksidentet ajrore në 35 vjetët e fundit, thuhej se vdekshmëria në pjesën e mesit të avionit ishte 39 përqind, në pjesën përpara 38 përqind, dhe në pjesën e prapme 32 përqind.
Ndërsa brenda rreshtit të sediljeve, ajo e mesit kishte shanset më të mëdha të mbijetesës.
Rrjeti Aviation Safety Network analizoi 65 aksidente ajrore dhe zbuloi se sediljet e pasme ishin më të sigurta në më shumë se gjysmën e aksidenteve, bazuar në shifrat e të mbijetuarve.
Ndërsa në lidhje me pozicionin e palosur me duar mbi kokë, autoritetet në SHBA thonë se nevojitet për dy arsye – njëra për të ndaluar lëkundjet e trupit në një minimum, dhe tjetra për të parandaluar plagosjet në kokë, nga karrigia apo objektet në lëvizje.
Asistentët e fluturimit këshillonin në një forum: “Në rast të një situate ku pasagjerët duhet të mbulojnë kokën me duar, mos i lidhni gishtat në kokë por vendosni duart njëra mbi tjetrën”.
“Kështu nëse diçka të bie mbi dorë/kokë, ke dorën të lirë ta përdorësh.”
Një tjetër person në forumin online tha: “Unë do të shkoja dhe më tej duke thënë që sipër të mbajmë dorën më pak të mbarë, në mënyrë që dora më e aftë të jetë më e mbrojtur.”
Megjithse duket e mërzitshme të dëgjosh udhëzimet sa herë që fluturon, injorimi i tyre mund të sjellë pasoja fatale.
Në aksidentin e rëndë në 2009 mbi lumin Hudson në New York, vetëm 10 nga 150 pasagjerët morën jelekët e shpëtimit për t’u evakuar, pasi nuk dëgjonin instruksionet.
Pasagjeri Josh Peltz, tha asokohe se duke njohur procedurat kishte arritur të ndihmonte të tjerë të shpëtonin.
Mbajtja e bagazhit pranë këmbëve tuaja mund t’ju ndihmojë në një aksident ajror, dhe jo vetëm për të mbrojtur këmbët.
Erwin Tumiri, ishte një nga vetëm gjashtë personat që i mbijetuan aksidentit të fluturimit LaMia Flight 2933 që u përplas në malet e Kolumbisë në 2016. Ai thotë se mblodhi trupin në formë topthi dhe mbajti bagazhin në mes të këmbëve.
Asokohe ai tha: “Vendosa çantën në mes të këmbëve për të formuar pozicionin e bebes në barkun e nënës, siç rekomandohet në aksidente”. /The Sun/ Përgatiti: Andi Lamko/
Top Channel