Përfundon mbledhja e sekretariatit në selinë rozë/ Gjiknuri: Organizimi i ri, për t’iu përgjigjur sfidave që kërkon mandati i tretë

07/09/2021 09:48

Në selinë e Partisë Socialiste, sot u mbajt mbledhja e parë pas Asamblesë Kombëtare, ku kryeministri i vendit shpalli kabinetin qeverisës të katër viteve të ardhshme.

Rama mblodhi në seli sekretarët e sapoemëruar. Mësohet se ishte një takim i karakterit organizativ.

Sekretariati i së majtës ka ndryshuar tërësisht. Në Asamblenë Kombëtare, që u mbajt në 2 shtator, Rama njoftoi se sekretar i përgjithshëm do të jetë Damian Gjiknuri, detyrë që më herët e mbante Taulant Balla.

Pas përfundimit të mbledhjes me dyer të mbyllura, numri dy i partisë tha se fillimi i vitit do ta gjejë PS-në me statut të ri dhe organizim të ri, për t’iu përgjigjur sfidave që kërkon mandati i tretë.

I pyetur rreth zërave se në kupolën e partisë ka pakënaqësi, Gjiknuri, tashmë sekretari i përgjithshëm i partisë, u përgjigj se “nuk ka dëgjuar ndonjë pakënaqësi të strukturuar”.

Natyrshëm që brenda një organizate ka pritshmëri të ndryshme. Mund të ketë ndonjë mos-realizim të ndonjë pritshmërie, por ky është një proces që do vazhdojë dhe do fashitet rrugës. PS ka kaluar aq prova dhe më parë sa të mbajë të gjithë ekuilibrat e nevojshëm dhe të nxjerr më të mirën e saj”, u shpreh ai.

Përveç postit të sekretarit të përgjithshëm, Ballës iu hoq dhe drejtimi politik i qarkut Elbasan. Balla, deputeti më i votuar në zgjedhjet e 25 prillit në Elbasan do të drejtojë tashmë qarkun e dytë më të madh të vendit, Fierin.

Surprizë tjetër nga Asambleja Kombëtare ishte dhe heqja e Erion Braçes nga posti i zëvendës kryeministrit. Numri dy i qeverisë në mandatin e tretë qeverisës të së majtës u caktua Arben Ahmetaj.

Rama caktoi si Sekretar Organizativ  Blendi Klosin. Etjen Xhafa do të jetë Sekretari digjital i partisë, Anila Denaj, Burimet Njerëzore të PS, Etilda Gjonaj, Sekretare për gruan në PS, Romina Kuko, Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë të PS, Bojkena Basha, Sekretarja e Rinisë.

 

 

Top Channel