Fantazisti ambjentalist italian, që jeton në ‘fshatin mesjetar të xhuxhmaxhuxhëve’ (fotot)

07/09/2021 17:32

Nicola Gentile, një 37 vjeçar shef ëmbëlsirash në Itali ishte i fiksuar me botën magjike të përrallave, prandaj bleu një copë tokë në zonat rurale të Bucchianico, pranë qytezës së Chieti, dhe bashkë me gruan nisi të ndërtonte një perandori personale të botës së mesjetës.

Më pas më 27 gusht, bashkë me një grup miqsh që ishin amatorë të serialit fantastik “Lord of the Rings”, ata u veshën si xhuxhmaxhuxhë, magjistarë e personazhe njerëzore dhe ecën për 120 km nga Chieti në Napoli, duke kapërcyer male e lumenj për të hedhur “Unazën” e tyre në kraterin vullkanik të malit Vezuv, çka është dhe elementi kryesor i sagës së njohur kinematografike.

“Pak kohë më parë kuptova se librat dhe filmat nuk më mjaftonin për kënaqur pasionin tim me zhanrin e fantazisë dhe veçanërisht me sagën e “Lordit të Unazave” (Lord of the Rings),” thotë Gentile. “Unë vazhdoja të lexoja për jetët e njerëzve të tjerë. Dhe vendosa se doja të jetoja dhe jetën time si ‘hobit’”, shton ai, duke iu referuar krijesave fantastike me pamje njerëzore e masë më të vogël që jetojnë në vrima nëntokë, që hasen shpesh në serialin e famshëm.

Në dy hektarët e tokës që ai ka blerë, Gentile ka ndërtuar tashmë shtëpinë, vishet me rroba prej xhuxhmaxhuxhësh dhe dyert i mban gjithnjë hapur për vizitorët.

Këtu kuzhinieri i ëmbëlsirave, i diplomuar dhe në gjeologji, ka ndërmend të ndërtojë disa rulota për xhuxhat e tij, dragoin jeshil dhe një tjetër shtëpi, duke plotësuar të gjithë elementet e fantastike te librit.

Qëllimi i tij është të transformojë këtë pjesë të Abruzzo në një fshat për ‘hobit’, së bashku me një fermë të madhe ku vizitorët të mund të jetojnë në botën e tij magjike, që sipas Gentile, nuk është shumë ndryshe nga mënyra sesi njerëzit jetojnë në Bucchianico.

“Me kalimin e kohës kam kuptuar se të gjithë në Bucchianico kanë jetuar si hobit. Ata punojnë si hobit, dhe si ata e bëjnë gjithçka në kontakt të afërt me natyrën. Ata gjithashtu festojnë si hobit, dhe vishen si ata”.

Në Bucchianico organizohet çdo vit festivali Banderesi që është një nga më të vjetrit në Evropë, i organizuar prej 500 vjetësh, ku njerëzit veshin rroba mesjetare, këndojnë, kërcejnë dhe përgatisin pjatat lokale.

“Këto janë veshje prej hobit,” thotë Gentile. ‘‘Kam kuptuar se ne gjithmonë kemi jetuar në një stil të tillë, prandaj e vetmja gjë që mungonte ishte të ndërtoja fshatin. Dua që njerëzit të hyjnë në mendjen time, në fantazinë time. Disa thonë se dua të largohem nga realiteti, por jo, unë po jetoj ëndrrën time, aventurën time. Duke blerë këtë tokë, unë e hoqa nga realiteti që nuk pëlqej dhe po e bëj ashtu si dëshiroj.”

Gentile shton se adhuron natyrën dhe kërkon të kujdeset për të. Ai shton se rrugëtimi drejt malit Vezuv për të hedhur unazën, nuk ishte një ecje ekstravagante nga fansa të Lord of the Rings– por kërkonte të dërgonte një mesazh.

“Toka sot kërcënohet nga ndotja dhe emergjenca e klimës, të cilat janë armiq të frikshëm po aq sa dhe Sauron”, thotë ai duke iu referuar përsëri personazheve të librit. “Ne deshëm të tregojmë se toka duhet mbrojtur dhe shpëtuar, prandaj shkuam të hedhin unazën. Unë nuk hodha një copë metal në krater, por ishte një copë llave e solidifikuar”.

“Takuam shumë njerëz gjatë atyre kilometrave dhe dashuria që na shprehën ishte e pabesueshme, njerëzit na hapnin dyert e shtëpive për të na dhënë ushqim, na prisnin për të fjetur e për të bërë dush në shtëpitë e tyre. A nuk është edhe kjo një formë magjie?”

FOTO GALERI
4/11
Me një grup miqsh që ishin amatorë të serialit fantastik “Lord of the Rings”, ata u veshën si xhuxhmaxhuxhë, magjistarë e personazhe njerëzore dhe ecën për 120 km nga Chieti në Napoli

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA