Rama nga Otranto: 30 vite më parë ishim afganët e sotëm, pritja e tyre për të nderuar historinë tonë

04/09/2021 00:24

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Otranto në Itali i ftuar në një mbrëmje solemne përkujtimore, ku ka mbajtur një fjalim pranë skulpturës emocionuese të “Katërit të Radës”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal të strehimi i afganëve në vendin tonë. Rama ritheksoi edhe një herë se shqiptarët kanë qenë më parë si afganët dhe se në një moment nevojë Evropa, veçanërisht Italia i hapi dyert për ne.

“Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot, dhe që mund të admiroj bukurinë e jashtëzakonshme të këtij qyteti, që me siguri i shton më shumë asaj që mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si bukuria e shpirtit të këtij populli, që 30 vite më parë na hapi dyert kur ishim ne atëherë afganët e sotëm, ndërkohë që iknim nga një ferr i ngjashëm, sepse ndonëse regjimi i Tiranës nuk ishte islamik, ishte një regjim në themel ideologjik që bazohej mbi terrorin dhe mohimin e plotë të tjetrit.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për kryebashkiakun e Otrantos, që organizoi këtë ceremoni përkujtimore, që na jep mundësi të mos harrojmë, që në të ardhmen të kemi një projektim që mbështetet në këtë kujtesë kaq shumë të rëndësishme”- tha Rama.

Ndërkohë kryeministri shtoi se Shqipëria duhet të presë më shumë afganë se vendet e tjera, sepse kjo lidhet me historinë e Shqipërisë.
“Fakti që është Shqipëria që duhet të presë më shumë afganë se vendet e tjera të pasura, nuk e bëjmë për asnjë arsye tjetër veçse për të nderuar historinë tonë dhe gjyshërit tanë, që bënë që Shqipëria të ishte vendi që strehoi më shumë hebrenj. Asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve, madje ka pasur shqiptarë që kanë vdekur në kampet e përqendrimit, duke mbrojtur hebrenjtë”- shtoi kryeministri.

Top Channel