“Në qeveri ministri i Silicon Miks”/ Salianji: Peleshi, ministri që helmoi njerëzit

03/09/2021 20:22

Rikonfirmimi i Niko Peleshit si ministër, ka ngjallur reagimin e ashpër të opozitës.

Duke iu referuar skandalit te Silicon Mix, deputeti Ervin Salianji, i kërkon drejtësisë të marrë si të pandehur Niko Peleshin për helmim të qytetarëve.

Prej 2 vitesh, ndaj tij qëndron një dosje në SPAK. Një sasi e madhe pesticidi me emrin ‘Silicon Mix’ shitej në Shqipëri si pleh kimik, gjatë kohës kur Peleshi ishte Ministër i Bujqësisë. Peleshi sot duhet të ishte i pandehur dhe me mbrojtës para gjykatës, por mbrohet dhe promovohet si Ministër i Mbrojtjes. Niko Peleshi duhet të dalë sa më parë para drejtësisë për helmim të produkteve ushqimore”, shprehet Salianji.

Skandali i Silikon Miks u zbulua nga Top Channel ne qershor te 2018 ku përmes një investigimi te thelluar u konfirmua se si një sasi e madhe pesticidi me emrin Silicon Mix është shitur ne Shqipëri si pleh kimik me urdhër te ish ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi, ndërsa fermerët blinin atë për të vrarë insektet.

“ ‘Silicon Mix’ ishte bllokuar nga AKU, por me një urdhër të ish-ministrit Niko Peleshi, bllokimi u hoq dhe në treg u shitën 4600 kilogram kimikat. Skandali është evidentuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili akuzon ish-ministrin se ka shkelur ligjin. Si mundet të bëhesh Ministër, kur ke helmuar qytetarët me pesticide si Silicon Mix?“, thotë ai.

Skandali mbi tregtimin e kimikatit të rrezikshëm silicon mix, i ka kaluar për hetim organit te akuzës.

Top Channel