“Nëse s’duam që PS një ditë të bëhet azil pleqsh duhet…”/ Rama kritika për anëtarësimet në parti

02/09/2021 11:00

Kryeministri Edi Rama ka thënë se të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste duhet të veprojnë sot, nëse s’duan që nesër PS ta shohin si një azil pleqsh.

Në fjalën e tij në Asamble, Rama theksoi gjithashtu se PS duhet të bëhet një parti ku njerëzit të punojnë për rritjen e saj me pasion njësoj si një tifoz i një skuadre futbolli.

Teksa foli për riorganizim tërësor të partisë, Kryeministri u shpreh se këtu duhet të përfshihet edhe përfaqësimi, ku theksoi se nuk duhet të ketë më nga ato farsat ku mblidhen njerëz për të dalë në televizor me të dhe ku jepen karta anëtarësimi për herë të dytë.

Rama: Duhet të alarmohemi nëse nuk duam që papritur të shikojmë fundin e higjemonisë së PS-së. Sot duhet të veprojmë, ua kemi borxh atyre që vijnë pas nesh. Ja kemi borxh atyre që i dhanë jetë kësaj partie, që e sollën këtë parti në kushtet që ne kemi këtë privilegj të madh të jemi të gjithë bashkë, udhëheqja e saj.

Sot duhet të mendojmë seriozisht për shëndetin, forcën dhe suksesin e PS në një afat më të gjatë se 4 vite. Ngritja sa më parë e një akademie politike të PS me standarde ndërkombëtare me ndjenjën e komunitetit të parimeve, qëllimeve dhe nismave të përbashkëta nuk është zgjidhje magjike.

Nëse nuk doni që PS një ditë aspak të bukur të bëhet një azil pleqsh duhet të veprojmë sot! Pa menduar që kjo nuk do ndodhë në kohën që ne kemi pushtetin, por mund të ndodhë shumë më shpejt.

Ne ende sot i kemi lidhjet me njerëzit por nuk janë lidhje që kanë garancinë afatgjatë, janë lidhje që mund të këputen nga viti në vit. Nëse këputen bëhen të pangjitshme më. Mjafton t’i hidhni sytë rreth e rrotull dhe të shihni ku kanë përfunduar partitë e mëdha socialiste, doni jug apo perëndim të Shqipërisë, veri apo lindje, sepse nuk kanë mundur të jenë një ushqim jo për interesat e ngushta, por për shpirtin politik, mendjen politike, pasionin politik.

Nuk ka asnjë arsye në botë që një ndjekës i një skuadre sporti të bëjë me mijëra kilometra për të asistuar në fitoren e skuadrës së tij që nuk i jep as punë në shtet dhe privilegje, përveçse atij pasioni dhe angazhimi që edhe një skuadër politike mund ta krijojë, por duhet ta besosh këtë dhe duhet të jesh i gatshëm të luftosh për të njësoj si skuadrat që zbresin në fushë dhe aty mbledhin frytet e asaj që mbjellin dhe kultivojnë në një stërvitje sfilitëse.

Akademia politike është një mjet që na duhet pa humbur kohë. Duhet te jetë edhe qasja e kryesisë së re, sekretariatit të ri, qeverisë së re. Ndërkohë një riorganizim tërësor nga lart poshtë jo vetëm në aspektin e shpërndarjes së forcave në territor, por edhe përfshirjes dhe përfaqësimit, jo me fjalë dhe jo duke bërë nga ato farsat e anëtarësimeve te reja ku mblidhen njerëz për të dalë në televizor me mua dhe ku jepen karta anëtarësimi për herë të dytë.

Nuk kam asgjë me vajzat dhe djemtë e secilit prej jush, por flas për mungesën totale të besimit që mund të ndodhë kjo, që kjo parti të bëhet një parti interesi për shumë vajza dhe djem që të gjejnë atë burim nxitje dhe pasioni që gjejnë kur bëjnë aktivitet të tjera sociale.

Top Channel