“Na dhanë kredi me interesa”/ Lutja e Ramës: Mos luani me nervat e njerëzve! Të mos ju gënjejë mendja se na kanë falur

02/09/2021 11:06

Kryeministri Edi Rama u ka treguar socialistëve se rreziku nuk i vjen nga PD, por nga vetë ata që nuk duhet të “dehen” nga fitorja e mandatit të tretë.

Në lutjen e tij në Asamblenë Kombëtare të PS, Rama tha shqiptarët i kanë falur shumë gjëra, ndaj i kërkon socialistëve që të mos luajnë me nervat e njerëzve por të punojnë fort.

Rama tha se shqiptarët i kanë dhënë një kredi për ta shlyer me interesa, por nuk kanë harruar asgjë duke i dhënë sërish votën. Për këtë arsye kërkon  që të gjithë të punojnë fort për ata që kanë besuar sërish tek PS.

Rama: Të ndryshojnë gjëra që duke ndejtur nëpër kafene me mrrokullën, me Kim Kardashianin nuk i ndryshojmë dot. Na duhet një sistem dhe jemi në kohë për ta bërë sepse kemi eksperiencë, por bashkë me eksperiencën vjen edhe mungesa e vullnetit për të sfiduar vetë eksperiencën tënde. Nëse sot s’jemi si të tjerët, kjo nuk është rastësisht por falë shumë gjërave dhe gjithçka po them nuk ka asnjë qëllim por as edhe peshën e atillë që zhbën gjëra të mëdha që kemi bërë, prandaj edhe jemi këtu.

Nuk jemi si të tjerët, ne fitojmë. Por që të mos bëhemi si të tjerët, të cilët edhe kur bien me këmbët e tyre në pus, nuk e kuptojnë nga u erdhi e keqja, duhet të kuptojmë rreziqet. Sa më lart ngjitesh, rrezikon që rënien ta kesh katastrofike nëse kujton që krahët i ke që fluturojnë dhe humbet kontaktin me tokën. Duhet të hapim sytë sepse kemi arritur fitoren tonë më të madhe dhe të hapim sytë që fitorja të mos na zërë sytë. Rreziku fillon nga unë deri tek më i riu në skuadrën udhëheqës të partisë. Rreziku dhe me qëllim po bëj përsëritjen fillon nga sjellja e të dehurit nga fitorja, tani fituam, kush është si ne.

Cfarë ka për ne këtu tani? Ka më tepër mund, më tepër sakrifica, përkushtim dhe sens shërbimi ndaj të tjerëve. Kjo është për ne sot. Rreziku merr jetë nga bindja se askush nuk na bind ne, sa të kemi në opozitë këtë pjesën amorfe me dhëmballën e prishur që quhet PD. Rreziku vjen nga verbëria se ata nuk kanë çfarë t’i bëjnë PS, të mblidhen, të stërmblidhen, të hidhen. Por PS na ka ne, ne mund ti bëjmë partisë atë që ata të gjithë bashkë nuk e bëjnë dot. Nëse PS do të jetë zhgënjimi i tyre, do të jetë relike njësoj si simotrat e veta që dikur i shihte me admirim dhe që sot u ka humbur fisi dhe fara nëpër Europë.

Sfida e sfidave të këtij mandati të tretë është sfida mes nesh. Që ta themi troç, me mandatin e tretë na kanë falur mjaft mërzira, por larg qoftë të na gënjejë mendja se i kanë harruar ato që na kanë falur duke na dhënë votën prap. Ia kanë falur të gjithëve por sipas nivelit, që nga unë, të tjerët rreth meje e të tjerët më tutje, na kanë falur individualisht plot gjëra, por nuk i kanë harruar. Na kanë dhënë një kredi dhe na kanë thënë shlyejeni me interesa, prandaj unë do t’ju lutem sot në emër të të gjithë atyre që na kanë besuar përsëri, në emër të të gjithë atyre që do të na besojnë në të ardhmen dhe për hir të të gjithë mundit në këto 8 vjet gjithashtu dhe jo mundit tuaj dhe timit, por të familjeve tona që kanë marrë bashkë me ne dhe për shkakun tonë, një baltë të pamerituar dhe të pamatshme mbi kurrizin e tyre për më shumë se 8 vjet dhe lutja ime është në emër të të gjithë këtyre që thashë, mos luani me nervat e njerëzve, mos luani me nervat e atyre që nuk na kanë zgjedhur, as në komunitetet tuaja, as në komunikimet e publikut dhe as mos lejoni të tjerët që të bëjnë këtë.

Top Channel