“Do të mërzitem me Ramën nëse…”, Balla flet i buzëqeshur pasi i hoqën postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS

02/09/2021 13:44

Taulant Balla doli i buzëqeshur nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS, edhe pse kryeministri Edi Rama vendosi që postin e tij si sekretar i përgjithshëm PS t’ia kalojë Damian Gjiknurit.

Në daljen e tij para mediave, Balla tha se nuk e sheh këtë lëvizje si ulje të përgjegjësive të tij duke thënë se vazhdon të ketë detyra të rëndësishme pasi ishte deputeti më i votuar në Elbasan. Ndërsa për kalimin nga kryetar i qarkut të Elbasanit në atë të Fierit, Balla tha se do të mbajë përgjegjësitë e tij duke shtuar se do të mërzitet me Ramën nëse nuk jep investimet e nevojshme për Elbasanin.

“Mendoj që të jesh kryetar i grupit parlamentar të shumicës parlamentare në mandatin e tretë është të mos jesh pozicion i rëndësishëm në politikë. Gjithashtu të drejtosh qarkun e dytë më të madh në vend ku buron pushteti i socialistëve nuk është ndonjë pozicion politik…  Meqenëse jam deputet i qarkut të Elbasanit ku gjej rastin të falënderoj votuesit që asnjëherë më parë në histori, dua të falënderoj çdo votues, të falënderoj dhe ata që nuk votuan.

Kryetari i shumicës parlamentare që do të ketë përgjegjësi shumë të mëdha është përgjegjësia e dytë pas kryeministrit në lidhje me adresimin e besimit të qytetarëve. Dua t’ju them që unë do të vazhdoj të jem në krye të grupit parlamentar të PS, janë një grup deputetësh të mirë që duhet të vazhdojnë të luajnë rol aktiv dhe nuk shoh në këtë vendim asnjë shmangie nga ajo që kam dëshirë të bëj.

Unë jam deputet i qarkut të Elbasanit, do të jem dhe drejtues i qarkut të Fierit. Duhet një punë shumë e rëndësishme për të ruajtur performancën që ish drejtuesi politik i Fierit, Ruci ka pasur në atë qark. Mos ngatërroni detyrat e deputetit dhe të drejtimit të qarkut, pasi një politikan i mençur i bën të dyja në mënyrë rigoroze. Dua t’ju garantoj që kjo nuk është kungujsh, por përgjegjësish. Meraku im i vetëm është se do të mërzitem me Ramën nëse qarku i Elbasanit nuk do të marrë investimet e nevojshme dhe të domosdoshme për t’i kthyer atë borxh që PS i ka për mandatin e tretë“, tha Balla.

Top Channel