Uragani Ida, i shndërruar ën stuhi shkatërrimtare të kategorisë 4, u përplas mbi brigjet e shtetit të Luizianës në SHBA, pikërisht në 16 vjetorin e shkatërrimit që solli në këtë qytet Uragani Katrina.
Ida bëri dhe viktimën e parë: një person humbi jetën pas rrëzimit të një peme mbi shtëpinë e tij. Banorët që nuk arritën të evakuohen, u këshilluan të gjejnë vendstrehime. Kur preku vijën bregdetare, shpejtësia e erërave të Idës shënonte 240 km/h.
Presidenti Joe Biden vizitoi shtabin e Agjensisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA), e tha se qeveria federale po përgatitet për më të keqen dhe se ndoshta do të duhen javë të tëra për disa zona që t’u rikthehet energjia elektrike pas uraganit. aktualisht, 1 milionë kanë mbetur pa energji. Biden u bëri thirrje njerëzve për kujdes maksimal.
Biden: Dua ta theksoj përsëri, ky do të jetë një uragan shumë shkatërrues, një stuhi kërcënuese për jetën. Prandaj ju lutemi, të gjithë juve në Misisipi dhe Luiziana… dhe Zoti e di, ndoshta edhe më në lindje, merrni masa paraprake. Merreni seriozisht, merreni shumë seriozisht.
Në 29 gusht 2005, Uragani Katrina mbërriti në bregun e Luizianas si një stuhi e kategorisë 3. Katrina shkaktoi 1800 viktima, çau argjinaturën mbrojtëse dhe solli përmbytje shkatërrimtare në Nju Orlins. Sistemi federal i argjinaturave të qytetit është përmirësuar që nga ajo kohë. Megjithatë, Ida është edhe më i fortë, e kjo shtyu guvernatorin e John Bel Edwards të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa tha se 5 mijë forca të Gardës Kombëtare janë në gatishmëri përgjatë bregdetit për përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Top Channel