Top Channel zbardh ekipin e ri drejtues të PD/ Zbulohen emrat e 4 nënkryetarëve te rinj të partisë, mes tyre dy zonja

29/08/2021 16:25

Në selinë blu ka rënë heshtja!

Emra që ikin dhe vijnë nga Kryesia e partisë pritet te mësohen pasditen e së hënës, kohë kur Këshilli u ri Kombëtar pritet te zgjedhë ekipin e ri drejtues.

Surpriza nuk pritet për postin e Sekretarit te Përgjithshëm. Kështu është rikonfirmuar në detyrë Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, me një kontribut të rëndësishëm edhe në fushatën zgjedhore të 25 prillit si Drejtues Politik në një qark të vështirë si ai i Elbasanit.

Gara me e fortë pritet të zhvillohet për postin e nënkryetarit, që me ndryshimet e fundit statutore tashmë janë bërë 4.

Burime  nga selia blu konfirmojnë për Top Channel, se kandidatët pretendente janë Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Grida Duma. Rushaj projektohet te mbajë njëherësh edhe postin e kreut te grupit parlamentar, ndërsa Alibeaj atë të nënkryetarit të Parlamentit duke spostuar ne ketë mënyre Edi Paloken dhe Edmond Spahon.

Deputetja e zgjedhur, shkrimtarja e botuesja Flutura Açka është nominuar për një post të rëndësishëm, atë të Kryetares së Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës.

Jemin Gjana, është nominuar si Kryetar i Komisionit Zgjedhor.

Për Sekretare për Pronarët dhe cështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian, ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë.

Për të qenë sa më pranë biznesit dhe shqetësimeve të tij, Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qakut Kukës, dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha.

Garantimi i votës së emigrantëve do të jetë prioritet i PD. Prandaj në funksion të thithjes së ekspertizës, përvojës, mendimit, krijimit të mundësive për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë, emigrantët dhe diaspora do të kenë një sekretariat të dedikuar. Ky sekretariat që mishëron prioritetin e Bashës për emigrantët dhe diasporën dhe që krijohet për herë të parë është propozuar të drejtohet nga Belind Kelliçi.

Oriela Nebiaj do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere.

Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli.

Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso.

Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.

Studiuesja dhe pedagogia Enriketa Papa – Pandelejmoni është emëruar nga kreu i PD për pozicionin e kryetares së Fondacionit për Liri dhe Demokraci.

Ndërkohë është zbardhur edhe ndarja e përgjegjësive ne Grupin e ri Parlamentar. Grupi që do të drejtohet nga nënkryetari i Partisë Alfred Rushaj do të ketë dy Nënkryetarë: Ervin Salianjin dhe Luçiano Boçin. Detyra e Zëdhënësit të Grupit i është besuar Orjola Pampurit, ndërkohë që ajo e Sekretarit të Grupit Parlamnetar, deputetit të ri të Vlorës Arbi Agalliu.

Deputetët janë ndarë në 8 komisione ku drejtimi nga ana e PD i është besuar:

Komisioni për Integrimin Europian: Jorida Tabaku
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Agron Gjekmarkaj
Komisioni për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Albana Vokshi
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: Oerd Bylykbashi
Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Sorina Koti
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin: Helidon Bushati
Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Flamur Noka
Komisioni për Politikën e Jashtme: Tomorr Alizoti

FOTO GALERI
1/3

Top Channel