Ndriçimi rrugor shfaros popullsinë e insekteve në Britani – studimi (fotot)

28/08/2021 21:28

Dritat e ndriçimit ‘ekologjik’ rezultojnë po aq të këqija se ato me sodium, dhe ndikojnë njëlloj në rënien e numrave të insekteve, thotë një studim i ri në Britani.

Ndriçimi i tipit LED prodhon dritë më të dëmshme për insektet se llampat tradicionale të sodës, të cilat ato po zëvendësojnë.

Insektet e natës, që janë të kudondodhura në rrugët rurale të Britanisë, raportohet se gjendeshin në numra 52% më të ulët në vendet me drita LED dhe 41% më pak aty ku vendi ndriçohej me llampa sodium, në krahasim me vendet e pandriçuara.

Dritat e bardha LED janë më efikase sa i përket energjisë, por shkencëtarët thonë se prodhojnë më shumë dritë ne nuance blu, që është ngjyra kryesore që pikaset nga insektet.

Insektet janë pllenues të rëndësishëm të botës bimore si dhe përbëjnë një burim esencial ushqimi për zogjtë e kafshët. Por numrat e tyre kanë rënë me një të tretën në 50 vitet e fundit në Britani.

Studimi ishte në fakt i pari që llogariste efektet e dritave LED në kontekstin natyral dhe gjithashtu i pari që tregonte impakt në ndotjen pamore për larvat, fluturat dhe insektet, thonë studiuesit.

Studiuesit shtojnë se insektet e tërhequra nga drita ishin më të pambrojtur nga predatorët, që do të thotë se ata lëshojnë më pak vezë. Rezultatet e studiuesve i aplikohen të gjitha insekteve të natës.

“Është një rezultat i habitshëm,” tha kreu i studimit Douglas Boyes, i qendrës britanike të ekologjisë dhe hidrologjisë. “Gjetëm shifra për të cilat nuk ishim të përgatitur. Ne zakonisht zbulojmë ndryshime në shifra 5-10% por pamë një rënie në 50% në numrin e larvave e fluturave”.

“Dritat LED janë aktori negativ në studimin tonë pasi për momentin kanë efekt më të keq se ato me sodium, por teknologjia e tyre mund të përmirësohet.”

Ata thanë se dritat mund dhe duhet të pajisen me filtra për të eliminuar nuancat e tyre blu, që tërheqin më shumë insektet.

“Duke parë dëmet e shkaktuara nga drita artificiale dhe angazhimet e qeverisë për reduktimin e ndotjes pamore për botën e gjallë, është e papranueshme mos-përkushtimi kombëtar për reduktimin e kësaj ndotjeje”, shtoi Boyes.

Një tjetër studim i ngjashëm në Belgjikë tregon se ndotja pamore e dritave artificiale të rrugës dëmtonte aftësinë e xixëllonjave e femrave të krimbave ndriçues, për të tërhequr meshkujt.

Vdekjet e shumta të insekteve po zhdukin “shtresën kryesore të jetës. Insektet janë pjesë vitale e mjedisit tonë natyral dhe mbrojtja e tyre është prioritet, prandaj kemi krijuar një kuadër objektivash për arritjen e bollëkut të species deri në vitin 2030”, shtonin studiuesit në konkluzionet e tyre. /TheGuardian/

FOTO GALERI
3/5
Ndriçimi i tipit LED prodhon dritë më të dëmshme për insektet se llampat tradicionale të sodës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA