Basha i përgjigjet Ramës: Beteja e PD nuk është kundër PS! Të shpëtojmë vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij

27/08/2021 20:57

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, bërë para deputetëve të rinj e të vjetër, që ishin mbledhur në Pallatin e Brigadave, për të folur për vizionin e mandatit të tretë qeverisës.

Rama tha se në këtë mandat që pritet të fillojë, konflikti politik nuk do të jetë më kryefjalë, ndërsa shtoi se dora për opozitën pavarësisht sjelljes së saj do vijojë të mbetet e shtrirë në çdo moment.

Përmes një shënimi në facebook, Basha thotë se beteja e PD nuk është kundër PS, por kundër pakicës së korruptuar, që sipas tij ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish.

Teksa e quajti regjim qeverisjen e Ramës, Basha theksoi se përballë tij kanë detyrën qytetare për tu bashkuar dhe për të punuar për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend.

“Beteja jonë dhe e shoqërisë shqiptare nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë. Shqiptarët i’a dinë dështimet, raportet ndërkombëtare i’a kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë.

Përballë këtij regjimi, kemi detyrën qytetare të bashkohemi dhe të punojmë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Platforma qytetare për demokracinë do të bëjë bashkë të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë që e duan ndryshimin dhe janë të vendosura të shpëtojnë vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij”, shkruan Basha.

Top Channel