“The Sun” jep alarmin: Mes të evakuarve po infiltrohen terroristë, përgatiten për sulme!

23/08/2021 16:42

Terroristët po përpiqen të infiltrohen në fluturimet e evakuimit nga Afganistani e t`i drejtohen Britanisë për të organizuar sulme, paralajmëron “The Sun”, duke cituar ministrin e forcave të armatosura, James Heappey.

Ekstremistët duan të shfrytëzojnë kaosin në Kabul, ku trupat tona janë sakaq në gadishmëri të lartë nga ndonjë sulm kamikaz i Shtetit Islamik“, vazhdon gazeta e njohur.

Heappey tha për radio 4 të BBC-së se “do të donin shumë që thjesht të hapnin portat e t’i linin njerëzit të kalonin me ritme shumë të shpejta. Por në këto momente që flasim, ka njerëz që janë përpjekur të marrin avionët drejt Britanisë të cilët i kemi verifikuar dhe pamë se figurojnë në listat e personave që nuk u lejohet fluturimi në vendin tonë”.

Për këtë arsye, shtoi ministri, i kemi shtuar kontrollet sepse ka persona që duan ta shfrytëzojnë situatën e krijuar për të arritur të hyjnë në tokën angleze e për të na dëmtuar. Heappey shtoi se ushtarët britanikë nuk ishin përfshirë në një të shtënat e një dite më parë në aeroportin e Kabulit, ku të paktën 7 afganë gjetën vdekjen të shtypur nga turma e njerëzve në panik.

Por, ato pamje mjaftuan sipas tij, për të dëshmuar qartë mjedisin kaotik me të cilin përballen autoritetet perëndimore.

Top Channel