Afganët në 2 baza ushtarake në Spanjë/ Presidenti Biden dhe kryeministri  Sanchez arrijnë marrëveshjen për refugjatët

22/08/2021 15:52

Washingtoni dhe Madridi kane rene dakord që të shfrytëzojnë bazat ushtarake në Spanjë, për të dërguar atje afganët që kanë punuar për Qeverinë amerikane. Presidenti Joe Biden dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez biseduan për ketë çështje ne telefon.

Sipas marrëveshjes, bazat – Moron de la Frontera, afër Seviljes dhe Rota afër Kadizit – do të shfrytëzohen për refugjatët nga Afganistani, derisa të rregullohet dokumentacioni për udhëtim në ndonjë shtet tjetër.

“Kemi përmendur disa çështje me interes të përbashkët, sidomos situatën në Afganistan si dhe bashkëpunimin në mes Qeverive tona për evakuim të njerëzve nga ai shtet”, ka thënë Sanchez.

Një avion me 11 refugjatë afganë dhe familjet e tyre ka arritur në bazën ushtarake jashtë Madridit më 21 gusht. Në të kanë qenë 36 persona që kanë punuar për administratën amerikane në Afganistan.

Këto baza veçse janë duke u shfrytëzuar për të strehuar refugjatët afganë që kanë punuar për Bashkimin Evropian dhe familjet e tyre, të cilët më pas do të dërgohen në shtetet e bllokut evropian.

Situata në Afganistan është përshkallëzuar, pas pushtimit të talibanëve dhe rrëzimit të Qeverisë së përkrahur nga Perëndimi më 15 gusht.

Skenat kaotike jashtë Aeroportit të Kabulit janë pare prej disa ditësh, pasi përveç njerëzve që kanë tentuar të ikin, edhe qeveritë kanë nisur procedurat e evakuimit të qytetarëve të tyre dhe kolegëve afganë.

Rreth 4,500 trupa amerikane janë duke kontrolluar përkohësisht Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul.

Talibanët kanë fituar kontrollin e Afganistanit pak ditë para afatit të fundit – 31 gusht – për tërheqje të forcave ndërkombëtare nga ky shtet.

Top Channel