Largimi i aktorit Patrick Dempsey nga seriali i njohur mjekësor amerikan “Anatomia e Grey” ka thyer zemrën e shumë fansave që shpresonin për një fund të lumtur mes personazhit të tij doktor Derek Shepherd, dhe doktoreshës Meredith Grey, të luajtur nga aktorja Ellen Pompeo.
Por duket se më i fituari nga ndryshimet është bashkëshorti i kësaj të fundit, Chris Ivery, që siç zbulohet e kishte ‘halë në sy’ intimitetin e krijuar për arsye të skenarit, mes gruas së tij dhe Dempsey.
Vetë aktorja e bëri zbulimin surprizë në një intervistë të fundit me Laura Brown e cila ironikisht kishte titullin “Ellen Pompeo nuk bën asgjë me detyrim”.
Aktorja tregon: “Në fillim ishte shumë e vështirë për të. Nganjëherë më thoshte gjëra si: ‘Kjo nuk është ashtu siç prisnim. Ti duhet të shkosh në punë por nuk bën gjë tjetër veçse puthesh me atë. Patrick është djalë i mirë por kjo e kalon masën”.
Ellen Pompeo shpjegon se sikleti më i madh për të shoqin ishin veçanërisht skenat e shumta të seksit, ku prej 11 sezonesh përfshiheshin ajo dhe Patrick Dempsey, deri kur ai vendosi t’i japë fund eksperiencës në serialin e famshëm amerikan, për t’iu kushtuar pasioneve të tjera si automobilizimi edhe roleve në të tjera projekte.
Aktualisht Dempsey është përfshirë në sezonin e dytë të serialit të ndjekur “Devils”.
Top Channel