SHBA-ja do të bëjë thirrje për marrjen e dozës së tretë të vaksinës

17/08/2021 09:12

Raportohet se administrata amerikane po planifikon që të njoftojë se shumica e amerikanëve duhet të marrin një dozë shtesë të vaksinës.

Doza përforcuese do të mirret tetë muaj pasi është bërë vaksinimi plotë.

Mediat amerikan The New York Times dhe Washington Post duke cituar burime të afërta me këtë çështja thanë se njoftimi mund të bëhet këtë javë.

Zyrtarët e shëndetësisë, sipas raporteve, kanë ardhur në përfundim se duhet një dozë shtesë për shkak të variantit Delta të koronavirusit i cili transmetohet më shpejt si dhe fakteve gjithnjë e më të shpeshta se me kalimin e kohës efikasiteti i vaksinën po bie.

Kategoritë e para që pritet të marrin dozat përforcuese janë banorët e shtëpive të pleqve dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Dhënia e këtyre vaksinave pritet të fillojë që në muajin shtator.

Javën e kaluar, rregullatori amerikan i ilaçeve miratoi një dozë shtesë për njerëzit që kanë imunitet të dobët.

Varianti Delta ka shkaktuar një rritje të rasteve të të infektuarve në Shtetet e Bashkuara, edhe pse gati 60 për qind e personave mbi 12 vjeç janë plotësisht të vaksinuar.

Shumica dërrmuese e rasteve të rënda dhe vdekjeve janë ndër të pavaksinuarit, duke treguar se vaksinat janë efektive kundër virusit.

Vendimi amerikan gjithashtu ndërlidhet me të dhënat nga Izraeli, i cili filloi të japë të doza përforcuese për popullsinë e tij të moshuar.

Izraeli ishte një nga udhëheqësit botërorë në vaksinimin e popullsisë së tij në fillim të këtij viti, duke përdorur vaksinën Pfizer-BioNTech. Por ky vend është përballur me rritje të rasteve me COVID-19 javët e fundit, kryesisht me variantin Delta.

Të dhënat e fundit izraelite tregojnë se Pfizer-BioNTech ishte vetëm 55 për qind efektive kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimit në spital për të moshuarit të cilët ishin vaksinuar plotësisht në janar.

Një studim tjetër i Klinikës Mayo në Shtetet e Bashkuara po tërheq vëmendjen e administratës amerikane. Studimi zbuloi se vaksina Moderna ishte 73 për qind efektive në parandalimin e infektimit, por Pfizer-BioNTech ishte 42 për qind efektive.

Sidoqoftë, studimi zbuloi se vaksinat ishin ende shumë efektive në parandalimin e rasteve të rënda dhe vdekjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA