“Qeveria dhe forcat afgane dështuan”/ Biden mbron vendimin e tërheqjes së trupave: Sa gjenerata të tjera do të linim të luftonin atje?

17/08/2021 00:55

Presidenti i Amerikës Joe Biden iu drejtua amerikanëve me një mesazh mbrëmjen e së hënës nga Shtëpia e Bardhë për situatën në Afganistan pas hyrjes së trupave talebane.

Presidenti tha se ai dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare e kanë vëzhguar nga afër situatën atje, edhe pse ai theksoi se nuk ka folur para kamerave për këtë çështje. Presidenti amerikan pranoi se bota tani po sheh një “kolaps ” të qeverisë afgane, por këmbënguli se misioni amerikan nuk supozohej të ndërtonte kombin, por të parandalonte një sulm terrorist në tokën amerikane.

Biden vijoi të mbronte vendimin e tij për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani dhe pse kur forcat talebane morën Kabulin, bota pa imazhe të afganëve të dëshpëruar që po përpiqeshin të largoheshin nga vendi. “Unë i qëndroj plotësisht vendimit tim. Pas 20 vjetësh, kam mësuar në mënyrën më të vështirë se kurrë nuk ka qenë një kohë e mirë për të tërhequr forcat amerikane”, tha Biden.

Presidenti amerikan kritikoi udhëheqësit e qeverisë afgane për ikjen nga vendi dhe trupat afgane për refuzimin për të mbrojtur siç duhet vendin e tyre. “E vërteta është, kjo ndodhi më shpejt nga sa kishim parashikuar,” tha ai. Ndër të tjera, Joe Biden deklaroi se trupat afganë dështuan në mbrojtjen e vendit të tyre, ndaj veprimi që duhet të ndërmerrte ishte largimi i trupave amerikanë.

“Sa gjenerata të tjera të vajzave dhe djemve do të linim të luftonin ne luftën civile në Afganistan ndërsa trupat afgane nuk do ta bënin?”, tha ai.
Biden theksoi se qeveria afgane nuk e ka dëgjuar këshillën e tij, duke mos negociuar për një zgjidhje politike me talebanët. Ai tregoi se “ ish presidenti afgan këmbënguli se forcat afgane do të luftonin, por rezultoi që ai kishte gabuar”.

Ai vazhdoi më tej duke thënë se marrëveshja e ish -presidentit amerikan Donald Trump me talebanët e zvogëloi praninë e trupave amerikane në vend nga rreth 15,500 në 2,500. Ai shton se marrëveshja e Trump me talebanët bëri që forcat amerikane të largohen deri më 1 maj.
“Talibanët ishin më të fortë ushtarakisht që nga viti 2001,” thotë ai.

“Zgjedhja që duhej të bëja si presidenti juaj ishte ose të zbatoja atë marrëveshje, ose të isha gati të kthehesha në luftën kundër talebanëve në mes të sezonit luftarak të majit.” Nuk kishte asnjë marrëveshje pas 1 majit për të mbrojtur trupat amerikane nga talebanët pas asaj date, tha Biden.

Top Channel