Ancelotti e la jashtë skuadrës, Odegaard pranë rikthimit në Londër

17/08/2021 21:38

Carlo Ancelotti nuk e futi në listën e lojtarëve të federuar për kampionatin, duke konfirmuar se Martin Odegaard nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin e ri dhe do të duhet të gjejë një tjetër skuadër për të vijuar karrierën.

Pikërisht për këtë arsye, menaxherët e fantazistit norvegjez kanë fluturuar drejt Londrës, aty ku i pret një takim me drejtuesit e Arsenalit, të cilët janë të interesuar ta rikthejnë sërish në “Emirates Stadium” futbollistin 22-vjeçar.

Odegaard ishte në huazim 6 muajt e parë të këtij viti te “topçinjtë’ dhe më pas nisi fazën përgatitore nën drejtimin e Carlo Ancelottit, por nuk arriti të bindë italianin për të qëndruar te Reali, ndaj për momentin opsioni i preferuar i tij është pikërisht rikthimi në Londër.

Reali i Madridit e vlerëson 35 milionë euro kartonin e norvegjezit dhe është i hapur për nëj tjetër huazim një vjeçar, por me kushtin që blerja të bëhet e detyruar verën e ardhshme, pasi klubi madrilen ka nevojë për para, që të tentojë blerjen e Kylian Mbappe.

Martin Odegaard u transferua te Reali i Madridit verën e 2014-ës, kur ishte vetëm 15-vjeçar dhe erdhi si një nga talentet më premtues, por pas shtegtimit në disa skuadra në huazim, tani pritet të lërë njëherë e mirë “Los blancos”, duke mos u shfaqur asnjëherë si protagonist në “Santiago Bernabeu”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA