Shtetet distancohen nga talebanët, Kina dhe Rusia shqyrtojnë kontakte me ta

16/08/2021 17:19

Në një deklaratë të përbashkët nga 60 shtete, ku përfshihet dhe Shqipëria me Kosovën, Departamenti Amerikan njofton se ekipet e tij po punojnë për të siguruar të gjithë qytetarët afganë.

Në deklaratën e përbashkët bëhet thirrje që cilido qytetar që dëshiron të largohet nga vendi nuk duhet të ndalohet dhe rrugët e largimit nga vendi duhet të mbeten të hapura.

“Populli afgan meriton të jetojë në siguri dhe dinjitet. Ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata”, thuhet në deklaratën e dash.
Me tej në deklaratë paralajmërohet se “personat ne pushtet dhe autoritetet në të gjithë Afganistanin mbajnë përgjegjësi dhe japin llogari për mbrojtjen e jetës dhe pronës njerëzore, si dhe për rivendosjen e menjëhershme të sigurisë dhe rendit civil”.

E ndërsa situata në Afganistan paraqitet më e rrezikshme se kurrë , reagimet nga qeveritë e mëdha kanë qenë të shumta me fokus sidomos në atë se çfarë do të vijë më pas.

Kryeministri i Anglisë Boris Johnson u shpreh i shqetësuar se nëse nuk dialogohet me qeverinë e re që do të formohet, Afganistani është një vatër potenciale e terrorizmit.
Ndërsa në një deklaratë të qeverisë kineze thuhet se ata do të respektojnë dëshirën dhe zgjidhjen e popullit afgan.

“Kina respekton të drejtën e popullit afgan për të përcaktuar në mënyrë të pavarur fatin e tij dhe është e gatshme të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunuese fqinje me Afganistanin”.

Rusia nga ana tjetër ka bërë me dije se ata janë në kontakt me talebanët nëpërmjet ambasadë së tyre dhe se nuk do të nxitohen në njohjen ose jo të qeverisë që do krijohet atje.

Top Channel