Kryetari aktual i Kamenicës Qëndron Kastrati ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën e tij edhe për një mandat katërvjeçar në krye të komunës.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kastrati përmes një postimi në Facebook, ku ka dhënë detaje edhe rreth listës me kandidatë për këshilltarë komunalë nga radhët e PSD-së që do të garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit.
Ai ka thënë se është një listë gjithëpërfshirëse me kandidatë nga zona të ndryshme të komunës e nga kategori të ndryshme shoqërore.
“Radha e kandidatëve është përcaktuar me short, sepse janë projektet të cilat do t’i prezantojmë që kanë radhitje sipas rëndësisë e që të gjithë ne do të angazhohemi barabartë për të ardhmen e fëmijëve, të rinjve, për bujkun, pacientin, ndërmarrësin e mjeshtrin. Për të sjellë Kamenicën në një fazë të re të zhvillimit. Për projekte ambicioze. Në ditët në vazhdim do të prezantojmë listën që e bindë secilin, listën që do të fitojë bindshëm”, shkruan Kastrati.
Postimi i plotë:
Albina është titulli. Naimi është vula.
Kandidatët e tjerë janë teksti dhe përmbajtja e deklaratës sime për kandidaturë për mandatin e dytë.
E gjithë lista përfaqëson program e gjeografi. Mbi të gjitha përfaqëson synimin për barazi. 29 emra, secili më i vlefshëm se tjetri. Të radhitur me short sepse jemi bashkë në këtë projekt.
Një grua shembullore, arkitekte e suksesshme në Zvicër, Albina Mahmuti-Berisha ka vendosur që të kthehet në Kosovë. Interesimi i saj për zhvillimet në Kamenicë ka qenë i vazhdueshëm dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në vendin ku u lind e u rrit është e pashembullt. Së bashku do të punojmë për projekte zhvillimore për të ardhmen e Kamenicës.
Naimi ia jep vulën listës më të mirë në historinë e Kamenicës. Punëtor më të madh e më të ndershëm nuk gjen. Kontributi i tij për zhvillimin e bujqësisë, njohja në detaje e secilit aspekt të kësaj fushe e bën Naimin njërin prej drejtorëve më të suksesshëm ndonjëherë. Jam krenar që e kam krah të djathtë.
Pa modesti e them se lista është brilante. Gjithë secili kandidat përfaqëson integritet personal e profesional, ndershmëri e zell për punë. Është listë gjithëpërfshirëse me kandidatë nga zona të ndryshme të komunës e nga kategori të ndryshme shoqërore. Të gjithë të përkushtuar për punë, të gjithë të dëshmuar në punë e në shoqëri. Radha e kandidatëve është përcaktuar me short, sepse janë projektet të cilat do t’i prezantojmë që kanë radhitje sipas rëndësisë e që të gjithë ne do të angazhohemi barabartë për të ardhmen e fëmijëve, të rinjve, për bujkun, pacientin, ndërmarrësin e mjeshtrin. Për të sjellë Kamenicën në një fazë të re të zhvillimit. Për projekte ambicioze. Në ditët në vazhdim do të prezantojmë listën që e bindë secilin, listën që do të fitojë bindshëm!
Unë sot e deklaroj kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Kamenicës.
Bashkë fitojmë!
Top Channel