Ambasadori i Iranit në Bagdad, Iraj Masjedi deklaroi se po negociojnë për hapjen e ambasadave me Arabinë Saudite.
Duke folur për kanalin Al-Alam në gjuhën arabe të televizionit shtetëror iranian, Masjedi dha informacion në lidhje me negociatat midis Teheranit dhe Rijadit në Bagdad me ndërmjetësimin e Irakut.
Ai theksoi se negociatat midis Iranit dhe Arabisë Saudite në Bagdad u ndërprenë për shkak të ndryshimit të qeverisë në Iran. “Kishte disa raunde bisedimesh midis Iranit dhe Arabisë Saudite në Irak. Tema e negociatave ishte hapja e ambasadave. Shpresoj që të vazhdojnë fazat e reja të këtyre negociatave”, tha Masjedi.
Gazeta britanike “Financial Times” pretendon se zyrtarët iranianë dhe sauditë u takuan në Bagdad më 9 prill për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta. Më vonë më 20 prill Masjedi në një deklaratë konfirmoi se me ndërmjetësimin e Irakut u mbajtën takimet midis Teheranit dhe Rijadit.
Kur u prishën marrëdhëniet Iran-Arabi Saudite?
Në Arabinë Saudite, më 2 janar 2016, 47 persona, përfshirë imamin shiit, Nimr al-Nimr u ekzekutuan nën akuzat për “terrorizëm”.
Pas deklaratave të bëra njëra pas tjetrës nga zyrtarët iranianë që reaguan ndaj ekzekutimeve, Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran dhe ndërtesat e konsullatës në qytetin Mashhad u dogjën nga demonstruesit.
Pas këtyre ngjarjeve, marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve të cilat tashmë ishin të tensionuara për shkak të luftës civile në Jemen që filloi në mars 2015, u ndërprenë plotësisht./AA/
Top Channel