“Po vijnë nga të gjitha anët”. Talebanët në Kabul: Do presim te portat, derisa të mbarojë evakuimi

15/08/2021 11:06

Talebanët mësynë të dielën në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit, kështu njoftoi një zyrtar i ministrisë së brendshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara evakuuan diplomatët nga ambasada e tyre me helikopter.

Zyrtari i lartë i tha agjensisë së lajmeve Reuters se talebanët po vinin “nga të gjitha anët”.

Nga ana tjetër talebanët thanë se ata i kishin urdhëruar ushtarët e tyre që të qëndronin në portat e Kabulit dhe të mos hynin në qytet , derisa procesi i

evakuimit të mbaronte .
“Ne nuk duam që një civil i vetëm, i pafajshëm afgan të plagoset ose të vritet, por ne nuk kemi shpallur armëpushim.”, thuhet më tej në deklaratën e tyre.

Kabuli është qyteti i fundit i madh që ende është nën kontrollin e forcave qeveritare.
Por shqetësimet po rriten, sepse nuk dihet se për sa kohë Kabuli mund të shmangë kryengritësit talebanë, pasi ata kanë pushtuar tashmë edhe Mazar-i-Sharif, po ashtu edhe qytetin e dytë më të madh Kandahar dhe qytetin e tretë më të madh Herat brenda 48 orëve të fundit.

Në një reagim, në twitter pallati presidencial afgan tha se të shtëna armësh dëgjoheshin në një numër zonash rreth Kabulit, por se forcat e sigurisë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, kishin kontrollin e qytetit.

Ndërkohë presidenti Joe Biden tha se ai autorizoi vendosjen e trupave shtesë amerikane për të siguruar evakuimin e sigurt të personelit amerikan dhe personelit tjetër aleat si dhe të gjithë të afganëve që i ndihmuan ata.

Talebanët, thanë se marrja e shpejt e territorit tregon se populli i pranon ata dhe risiguruan afganët dhe të huajt se ata do të jenë të sigurt.

Top Channel