Britney Spears “çlirohet” nga i ati, pas disa vitesh beteja ligjore

13/08/2021 11:57

Pas një sërë debatesh e përballjesh në salla gjyqësore, Babai i Britney Spears ka njoftuar se ai ka rënë dakord të japë dorëheqjen si kujdestar i këngëtares.

Megjithatë, avokati i Jamie Spears ka këmbëngulur se në fakt nuk ka asnjë bazë aktuale që ai të tërhiqet, ndërsa nuk ka dhënë një afat kohor se kur do të heqë dorë nga roli i tij.

Nga ana tjetër avokati i yllit të popit tha se kjo ishte “një fitore e madhe për Britney Spears dhe një hap më tej drejt drejtësisë”.
Karriera e këngëtares ka qenë në duart e të atit që nga viti 2008, kur këngëtarja thuhet se pati shumë probleme me shëndetin mendor.

Por këngetarja ka nisur një peticion për të ndaluar babin e saj që të kontrollojë pasuritë e saj dhe ka thënë se nuk do performojë derisa i ati të heqë dorë nga ajo.

Marrëveshja e urdhëruar nga gjykata, e imponuar në vitin 2008 kur u ngritën shqetësimet për shëndetin mendor të këngëtares, i dha Jamie Spears kontroll mbi pasurinë e vajzës së tij dhe aspekte të tjera të jetës së saj.

Por babai i Spears ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë për keqbërje dhe ka shprehur shqetësim për mirëqenien e vajzës së tij.

Ndërkohë prej kohësh ka nisur fushata #FreeBritney,nga fansat që dëshirojnë që këngëtarja të rimarrë autonominë e saj.
39-vjeçarja ka thënë në gjykatë se ajo ishte droguar, dhe e detyruar të vepronte kundër vullnetit të saj dhe ishte ndaluar të kishte fëmijë.

Top Channel