OBSH teston 3 ilaçe për Covid 19/ Në 52 vende të botës do të përfshihen mijëra studiues në mbi 600 spitale

12/08/2021 15:45

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi për fillimin e testimit në masë të tre ilaçeve për trajtimin e mundshëm të sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Hulumtimi do të bëhet në 52 vende të botës dhe do të përfshijë mijëra studiues në mbi 600 spitale. Ilaçet që do të testohen janë: Artesunate, i cili tashmë përdoret për trajtimin e malaries së rëndë; Imatinib, që përdoret kundër disa kancereve dhe Infliximab, i përdorur për të trajtuar disa çrregullime të imunitetit.

OBSH-ja tha se këto ilaçe u zgjodhën nga një panel ekspertësh të pavarur pasi u mor parasysh potenciali i tyre në zvogëlimin e rrezikut të vdekjes të pacientëve me COVID-19 të hospitalizuar. “OBSH-ja është krenare që po udhëheq këtë përpjekje globale pasi zbulimi i terapive efektive mbetet një nevojë kritike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Hulumtimi do të bëhet përmes platformës “Solidarity PLUS”, rrjeti më i madh i OBSH-së për bashkëpunim midis vendeve anëtare. Pas një studimi të terapive të mundshme për trajtimin e COVID-19, studiuesit që përdorin të njëjtën platformë të OBSH-së, vitin e kaluar, arritën në përfundimin se remdesiviri, hidroksiklorina, lopinaviri dhe interferoni, kishin pak, ose aspak efekt tek pacientët e shtruar në spital.

Koronavirusi i ri ka vrarë mbi 4.3 milionë njerëz që kur u paraqit në Kinë në fund të vitit 2019. Mbi 204 milionë njerëz në botë janë infektuar. Nderkohe OBSH-ja ka dënuar vazhdimisht hendekun e madh në furnizim me vaksina kundër COVID-19 mes vendeve të varfra dhe atyre të pasura.

Top Channel