“Rreth 15 orë pas zjarrit që ra në Fushë Krujë, në një pikë të grumbullimit të gomave të përdorura të automjeteve, flakët vazhdojnë dhe tymi toksik po përhapet pothuajse në të gjitha lagjet e qytetit. Megjithatë gjithçka është vënë nën kontroll. Banesat dhe kabina elektrike që ndodhet ngjitur me objektin nuk janë më në rrezik”.
”Ishte një zjarr shumë i madh. U rrezikuan dy banesa dhe kabina elektrike aty pranë. Kërkuam ndihmë nga Kamza dhe Vora dhe me 6 mjete kemi operuar nga ora 23.00 deri në mëngjes. Gomat vazhdojnë të digjen dhe s’kemi cc’t’u bëjmë për shkak të materialit”.
Përtej zjarreve në pyje dhe kullota, nata e kaluar ishte një natë e gjatë në betejën me flakët dhe tymin e çliruar nga djegia e gomave në Fushë Krujë, që sipas zjarrfikësve ka qenë aksidental.
Një telefonatë dhe zjarrfikësit nxitojnë të largohen drejt një tjetër vatre zjarri. Këtë herë në Nikël.
Në vendngjarje mbeten banorët. Disa të gatshëm të ndërhyjnë dhe të kërkojnë ndihmë në rast nevoje. Të tjerë të hidhëruar nga situata, tymi helmues dhe harresa e bashkisë në zonën e tyre të banimit.
”Na zgjoi tymi dhe njerëzit që ishin më larg e kujtuan se po digjet ndonjë shtëpi. Pastaj vazhduam për të ndihmuar për të larguar gomat nga krateri që ishte në mes.”
”Gjithë ky dyoksid e helmon tërë miletin. Kush shqetësohet për këtë?! Janë fëmijë, shëndeti i njerëzve. Bashkia ka zyrën atje…”
Top Channel