Ishulli Evia në flakë! Zjarret në Greqi po shkatërrojnë turizmin, janë anuluar me mijëra rezervime

08/08/2021 15:12

Dielli është fshehur përsëri mbi ishullin Evias të Greqisë nga tymi i zjarreve që po djegin mijëra hektarë pyje të tij për të pestën ditë, ndërsa vatrat e zjarrit ende janë jashtë çdo kontrolli.

Prej orëve të para të mëngjesit të së dielës në këtë ishull për herë të parë në këto ditë operojnë katër helikopterë dhe tre avionë zjarrfikës, përfshirë edhe gjigantin Beriev-200 të marrë me qira nga Rusia, bashkë me mbi 260 zjarrfikës greke ,112 zjarrfikës rumunë dhe 100 ukrainas, si dhe me 89 automjete, të ndihmuar edhe nga vullnetarët e banorët.

Mbrojtja civile ka dërguar përsëri mesazhe telefonike për evakuime të disa fshatrave të tjerë që ndodhen nën kërcënimin e flakëve ,të cilat  gjatë natës kanë arritur edhe në 30-40 metra, ndërsa nga e shtuna në mbrëmje deri të dielën, anijet dhe tragetet e rojeve bregdetare greke evakuuan 83 persona të tjerë nga plazhet në Evian veriore.

Janë të paktën mbi 24000 hektarë pyje dhe fshatra të shkrumbuara në këtë ishull ose diku tek 1 e dhjeta e sipërfaqes së tij , qindra shtëpi të djegura dhe kafshë, një katastrofë e vërtetë ,ndërkohë që nuk dihet kur do të fiken vatrat e zjarrit .

Nën kontroll gjithashtu duket se po vihen edhe zjarret në zonën e Messinise në Peloponez, ndërsa lufta me flakët vazhdon në Arkadia, një zonë tjetër e këtij gadishulli.

Një katastrofe biblike tregojnë edhe pamjet televizive në veri të Athinës ku zjarret më në fund janë fikur pas disa ditësh  dhe autoritetet po përpiqen të regjistrojnë shtëpitë dhe tokat e djegura. Sipas specialistëve të ekonomisë janë tepër negative parashikimet për dëmet nga zjarret që duket se shkojnë mbi 500 milion euro.

Ndërsa gjithashtu kokëçarje për qeverinë nga mbulimi i mediave të huaja që u bënë zjarreve të vendit ,janë edhe pasojat e shkaktuara tek turizmi, pas disa mijëra anulimeve të rezervimeve të turistëve të huaj, në një moment që Greqia e dërmuar ekonomikisht, priste muajin gusht për të forcuar të ardhurat e saj.

Ndërsa hetohen shkaqet e këtyre zjarreve dhe tre persona janë nën hetim me akuzën e zjarrvënies, zyrtarët grekë gjithashtu fajësojnë për situatën  ndryshimet e klimës dhe temperaturat e larta që zgjaten për gati 11 ditë.

Top Channel