Shumë shtete në mbarë botën, po raportojnë për raste të infektimeve me koronavirus tek personat që janë vaksinuar.
Infektimet e të vaksinuarve, kryesisht po i atribuohen variantit Delta, që po përhapet me shpejtësi.
Një studim nga The New England Journal of Medicine më 28 korrik ka analizuar të dhënat e pothuajse 11.500 punonjësve shëndetësorë, të vaksinuar plotësisht me vaksinën Pfizer, të cilët punojnë në Qendrën Mjekësore Sheba, në afërsi të Tel Avivit në Izrael.
Studimi zbuloi se personat e vaksinuar, që kanë nivele më të larta të antitrupave, kanë më pak gjasa që të infektohen me koronavirus, raporton radio evropa e lire.
Pas testimeve të vazhdueshme prej fundit të janarit deri në fund të prillit, janë identifikuar 39 punonjës të infektuar, pavarësisht se ishin plotësisht të vaksinuar.
Studimi gjeti se të gjithë kanë pasur simptoma të buta ose nuk kanë pasur fare simptoma, por 19 për qind e tyre kishin përjetuar simptoma edhe gjashtë javë pas diagonistikimit.
Ndërkaq, sipas një studimi të kryer nga Qendra e Kontrollit për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) të publikuar në fund të korrikut, janë analizuar infektimet që kanë ndodhur në Barnstable. Rreth 74 për qind – apo 346 raste – e të infektuarve kanë qenë të vaksinuar plotësisht.
Nga këto 79 për qind kanë pasur simptoma dhe varianti Delta ka qenë përgjegjësi kryesor i këtyre infektimeve.
Sipas ekspertëve amerikanë, vaksinimi kundër COVID-19 ul gjasat që personat e vaksinuar të infektohen me koronavirus, por ata që infektohen me
Delta pas vaksinimit, kanë tendencë ta shpërndajnë virusin sikurse personat e pavaksinuar.
Sipas raportit të CDC-së, varianti Delta ka fuqinë e transmetimit po aq sa edhe gripi sezonal.
Kjo nënkupton se në kushte të caktuara, një person i infektuar me variantin fillestar të COVID-19 mesatarisht mund të infektojë dy deri në tre persona të tjerë. Por, një person i infektur me Delta mund të infektojë deri në nëntë persona të tjerë.
Top Channel