‘Nuk jemi kavje’/ Përleshje e gaz lotsjellës në Paris mes protestuesve anti-vaksina dhe policisë franceze (fotot)

31/07/2021 21:45

Policia franceze përdori sot gaz lotsjellës për të shpërndarë turma të mëdha protestuesish anti-vaksina, që demonstronin kundër skemës së pasaportave të qeverisë, me banderola ku shkruhej “Nuk jemi kavje laboratori”.

Rreth 3,000 policë me veshje të rënda u përleshën me protestuesit në Paris për të tretën fundjavë radhazi që prej propozimit të pasaportës së vaksinës, shkruan britanikja “The Sun”.

Policia përdori gjithashtu ujë me presion për të mbajtur larg mijëra protestues në bulevardin qendror Champs-Elysees dhe sheshin Place de la Bastille.

Si në Paris dhe qytetet e tjera të mëdha mijëra protestues morën pjesë në manifestimet e organizuara nga grupime të lëvizjes anti-qeveritare Gilets Jaunes (Jelekët e Verdhë).

“Disa nga marshimet janë të paligjshme, dhe grupe anarkiste u bashkohen atyre, edhe pse nuk janë të lidhur me protestën”, tha një oficer policie për mediat.

Sipas rregullave të reja të propozuara nga kryeministri i presidentit Macron, të gjithë punonjësit e shëndetësisë duhet të vaksinohen, dhe deri në mesin e shtatorit të provojnë se kanë marrë dy doza të vaksinës së Covid-19.

Hager Ameur, infermiere 37-vjeçare, akuzonte qeverinë për shantazh ndaj saj për largim nga puna.

“Mendoj se askush nuk duhet të na tregojë çfarë duhet të bëjmë”, tha ajo për rrjetin Associated Press, duke shtuar se punonjësit e shëndetësisë janë trajtuar pa respekt edhe gjatë valës së parë të pandemisë.

“Ndërsa tani papritur na thonë se nëse nuk vaksinohemi do të jetë faji ynë nëse të tjerët infektohen. Kjo është diçka e sëmurë”, shtoi ajo.

Tensionet u përshkallëzuan sot para teatrit Moulin Rouge në veri të Parisit ku dukej se zhvillohej demonstrata më e madhe e ditës.

Turma policësh u përballën trup më trup me demonstruesit dhe shumë mbetën të gjakosur ose të plagosur.

Teksa marshuesit vijuan drejt lindjes, policia u lëshoi gaz lotsjellës duke shpresuar se do të shpërndaheshin.

Një burrë shihej në pamje teksa i rridhte gjak nga koka.

Ndërkohë mijëra demonstrues të tjerë ishin grumbulluar pranë ministrisë së shëndetësisë, në një tjetër marshim që duket se drejtohej nga politikanë të së majtës ekstreme.

FOTO GALERI
1/10
Rreth 3,000 policë me veshje të rënda u përleshën me protestuesit në Paris për të tretën fundjavë radhazi

Top Channel