Transferimi i Manuel Locatellit tek Juventusi ende nuk është formalizuar, por nëse huazojmë një frazë nga çiklizmi, jemi në kilometrin e fundit, finishi është pranë, edhe pse mund të ketë ndonjë pengesë të vogël deri në mbylljen e garës.
Bardhezinjtë janë afruar shumë, aq sa edhe Arsenali që kishte shfaqur interes e ka kuptuar që nuk ka më mundësi për të qenë një konkurrent në këtë garë, duke u tërhequr. Këtë të enjte përfaqësuesit e të dy klubeve do të kenë takimin e tretë dhe me shumë mundësi edhe të fundit për të përfunduar me sukses seancat e negociatave.
Dy ofertat e para të torinezëve u refuzuan nga Sassuolo, ndërsa oferta e tretë do të jetë 35 milionë euro, shifër që i afrohet 40 milionë eurove të kërkuara nga klubi zi-gjelbër. Formula do të jetë ajo e huazimit dyvjeçar me detyrim blerjeje. Vetë futbollisti e ka dhënë me kohë aprovimin e tij, madje pret që kur të kthehet nga pushimet t’i bashkohet menjëherë shokëve të skuadrës tek përfaqësuesja: Bonuccit, Chiellinit, Chiesas e Bernardeschit.
Ndërkohë për të qëndruar tek Juventusi. Hamza Rafia ka rezultuar pozitiv ndaj Koronavirusit. Tuniziani 22-vjeçar i cili është pjesë e 23-vjeçarëve të Juves, ka qenë duke zhvilluar seancat stërvitore me skuadrën e parë dhe për këtë arsye i gjithë grupi është izoluar dhe kanë kryer tamponët me shpresën që asnjë lojtar tjetër të mos jetë infektuar me Covid-19.
Top Channel